Tashmë nuk ka më asnjë dyshim.
Duhet të ndodhë ndonjë mrekulli nga ato të pabesueshmet që të ndryshojë fati i turneut prestigjioz çiklistik, “Tour de France”, për këtë vit me sllovenin Tadej Pogacar, i cili është praktikisht fitues, duke i dhënë garws goditjen e fundit në etapën e 19-të, që u luftua në alpe.
Në gati 150 kilometra, nga Embryn në Isola 2000, u luajt akti i fundit i “dramës” më të madhe çiklistike dhe çiklisti nga Sllovenia vuri vulën.
Ai u shkëput kur kishin mbetur edhe rreth 8 kilometra për të mos u kapur më nga askush, ndërsa e la shumë prapa rivalin kryesor, Jonas Vingeggard, me danezin që u duk i lodhur, i kushtëzuar edhe nga fakti që skuadra e tij nuk mund të krahasohet këtë vit me ekipin e Pogacar, që ka paratë e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Fanela e Verdhë” kishte që në fillim të etapës epërsi prej 3 minutash e 11 sekondash ndaj Vinggegardit, dhe në mbërritje, diferenca u rrit edhe më shumë.
Pogacar e kaloi i pari vijën e finishit, dhe amerikani Jorgenson erdhi 21 sekonda me vonesë. Më pas britaniku Yejts dhe ekuadoriani Carazpaz, ndërsa Vingegard mbeti 1’42 sekonda prapa.
Tashmë, “Fanela e Verdhë” ka një epërsi prej 5 minutash e 3 sekondash, që vështirë të tejkalohet nga etapa e fundit malore në alpe, dhe nga etapa e kronometrit individual këtë të diel. /i.m /abcnews.al