Çiklistët e huaj mahniten nga bukuritë e Kukësit, turisti: Do të vizitojmë edhe Kosovën

schedule15:45 - 6 Tetor, 2022

schedule 15:45 - 6 Tetor, 2022

Orgest Ndoka i apasionuar pas çiklizimit që prej vitit 2016 shoqëron grupe të ndryshme që dëshirojnë të eksplorojnë vendin tonë.

E takuam me disa çiklistë nga Gjermania, Austria dhe Britania në qytetin e Kukësit. Janë përgatitjet e fundit, kontrollin teknik të biçikletave për të nisur turin nga shtegu i ngjyrave në Shishtavec për të vazhduar më pas drejt bjeshkëve të Cajës.

“Jam nga Gjermania, po vizitojmë Shqipërinë për herë të parë. Erdhëm nga Tirana ishte këndshëm, dje erdhëm në Kukës.”

“Në Kukës na pëlqeu qyteti, liqeni, mikpritja e njerëzve, ushqimet. Tani po bëjmë gati biçikletat që të vizitojmë malet.”

“Këtu është shumë bukur. Kur të mbarojmë turin në Shqipëri, do vizitojmë Kosovën.”

Orgesti, shoqëruesi i tyre tregon se përse këtë tur po e organizojnë në Kukës.

“Kukësi u zgjodh nga ne organizatorët, jo nga ata se ata nuk kanë shumë informacion për Shqipërinë. Shtigjet janë shumë të përshtatshme edhe pse s’janë të mirëmbajtura, janë krijuar nga bagëtitë dhe barinjtë që lëvizin maleve.”

I riu thekson se turizmi malor ka më shumë nevojë për promovim dhe informacioni është i paktën.

“Promovimi është kompleks nuk duhet ta bëjmë vetëm ne. Shumë pak njerëzit e dinë që këtë sport mund të zhvillojnë në Shqipëri. Ka ca zona që janë të rrezikshëm, duan investime. Duhet informacion për pikat ku ka ujë, se s’duhetë të marrësh shumë pesha me vete.”

Gjithashtu sugjeron dhe investime në hoteleri apo bujtina që sportistë apo turistët të mos qëndrojnë vetëm një ditë në zonat malore të Kukësit./abcnews.al/