Sokol Cikalleshi e ka nisur konferencën me një urim për presidenin e FSHF, Armand Duka dhe ndër të tjera uroi që të gjithë se bashku të kualifikohen në “Katar 2022”. Sulmuesi më pas u ngacmua në lidhje me rolin e titullarit në duelin kundër Hungarisë.
“Ndihem mirë në momentin që vazhdoj të kontribuoj për ekipin kombëtar. Gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën dhe të jap maksimumin tim. Shpresoj që edhe në vazhdim, në momentin që trajneri e shikon të arsyeshme dhe në momentin që unë mund ta ndihmoj ekipin në arritjen e rezultateve, duke u nisur nga këto dy ndeshje, uroj që të kem sa më shumë minuta dhe të arrij të shënoj, pasi kam pasur një vazhdimësi të mirë”.
“Duke iu referuar sulmit, në momentin që sulmuesit shënojnë është diçka pozitive, por nuk duhet të fokusohemi vetëm te sulmi. Ekipi duhet të funksionojë si një ekip i tërë, si një grup. Të gjithë lojtarët në klubet e tyre po marrin minuta dhe kjo besoj se është më e rëndësishme. Uroj që të vazhdojmë të jemi grup, siç kemi treguar kohët e fundit.
Kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi bërë edhe rezultate. Janë dy ndeshje mjaft të rëndësishme për ne. Na tregojnë se mund të qëndrojmë brenda objektivit deri në fund apo mund të mendojmë diçka tjetër. Duke qenë se jemi përpara këtyre ndeshjeve që janë shumë të rëndësishme, ne jemi të fokusuar në arritjen e dy rezultateve pozitive që mund të na dërgojnë në Botëror”.
“Te Konyaspor kemi një partneritet shumë të mirë, Çekici ka ardhur dhe ka bërë një kampionat shumë të mirë, duke shënuar edhe gola të mrekullueshëm. Është një lojtar mjaft cilësor, që besoj se do t’i shërbejë shumë kombëtares.
Ne jemi një grup prej 23 lojtarësh, që jemi të gatshëm. Duke pasur dhe një trajner me eksperiencë, që i shikon shumë mirë me detaje gjërat që ne na duhen në fushën e lojës, jam i sigurt se secili prej nesh është i fokusuar për të dhënë maksimumin në fushën e blertë”.
“Hungaria? Kur shkojmë në transfertë, nuk është e thënë se shkojmë vetëm për 3 pikë, sepse futboll është dhe të gjitha rezultatet janë të mundshme. Por duke parë momentin dhe formën e lojtarëve tanë, mendoj dhe më vjen mirë që ne mendojmë të shkojmë në Hungari për ta fituar ndeshjen. Jam i bindur që do shkojmë atje për të arritur atë çka duam. Unë mundohem që të flas më shumë në fushë dhe besoj se si unë, edhe ekipi, të gjithë bashkë do të dëshiroja ta tregonim në fushë”.
“Gol ndaj Hungarisë apo Polonisë? Duke pasur Hungarinë pas dy ndeshjesh, do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë, pasi me fitoren ndaj Hungarisë, me ndihmën e tifozëve që do të jenë në Air Albania dhe duke qenë të gjithë bashkë me zjarrin e fitores ndaj Hungarisë, besoj se Poloninë dhe Levandovskin do ta mundim”. / abcnews.al