14 vite më parë të hollat e mbledhura nga puna në emigracion Thoma Rubie vendosi ti investonte në fshatin Mursi të Konispolit.
Nga miqtë e tij kishte dëgjuar se mbjellja e mandarinave ishte investim frytdhënës. Së bashku me të shoqen, Aretin vendosën të mbillinin që në fillim 800 rrënjë mandarina.
Fillimi nuk ishte i lehtë, vitet e para kërkonin vetëm investim duke u marrë çiftit çdo qindarkë nga puna në emigracion. Thomai ishte i bindur se suksesi do të vinte, ndërsa Areti shpresonte se një ditë parat e investuara do ti ktheshin mbrapsh familjes së saj.
“Jam Thoma Rubie, një banor i zones Mursi dhe në vitin 2010 vendosa te mbjelll manderina, mora fidanin, bera punimin e tokës, sistemimin e saj, dhe i mbolla.”
“Që në fillim e kam nisur me 800 pemë dhe këto kam akoma, janë 14 vjeçare si pemë. Donin punë me mirëmbajtjen e tyre derisa të rriteshin dhe të fillonin prodhimin. Puna e parë është që donin vaditje, pastaj spërkatje, dhe filluan e japin prodhim në fund të tetorit dhe nëntor, pastaj me punëtorë të nderuar na ndihmojnë t’i mbledhim dhe ta nxjerrim manderinën ne treg. Për të nxjerrë manderinën duhet t’i shërbehet pemës gjithe vitin. Që në mars krasitjen e saj, pastaj vaditja dhe spërkatja me ilaçe për sëmundje që u bien atyre. Kemi agronome dhe specialista qe i mirëmbajnë këto peme. Pastaj vaditet deri në fund të tetorit derisa të vijë koha e vjeljes.”
“Unë quhem Areti Rubie, kam 30 vjet në emigracion, kur vendosi burri të mbillte manderina, na kërkohej të ishim këtu. Patëm shumë vështirësi sepse unë punoj në sezon në Korfuz dhe në kohën e beharit nuk jam këtu, puna më e lodhshme që është bërë e ka patur burri, edhe sivjet që pati një sëmundje në pemë, më shumë vështirësi i sollëm pemët atje ku duheshin, më shumë shpenzime dhe vështirësi. Në 5, 6 vitet e para ne hidhnim të ardhura dhe nuk merrnim, por unë prapë shpresoja se ato lekë si i hodha do të më ktheheshin, si unë dhe femijet e kemi hedhur leket ne kete ndermarrje.”
Që prej 2010-tës rrugëtimi i çiftit nga fshati Mursi nuk ka qenë i lehtë. Në vitet që ata ndërmorën investimin shitja e mandarinës nuk kishte ende një treg të sigurt, duke bërë që jo i gjithë produkti i tyre të dilte në treg. Nga ana tjetër sfidat me dëmtimet nga kushtet atmosferike thonë ata nuk kanë qenë të pakta.
“Në keto 14 vite ka patur edhe vështirësi, fatkeqësitë natyrore, vjet ra breshër dhe beri një dëm shumë të madh ku kemi hedhur të shumtën e prodhimit, dhe ajo që ngeli nuk mbulonte dot as shpenzimet e saj. Në këto kohëra ne nuk dorëzohemi por na duhet të punojmë diku tjetër për të mirëmbajtur prapë këto pemë, që neve mos t’i humbasim, mos t’i lëmë, por me sakrificë kemi vazhduar dhe i mirëmbajmë.”
Për Aretin puna më e vështirë ka qenë gjetja e krahut të punës. Që sot e kanë e kanë zgjidhur me puntorë nga zonat përreth ndërsa dikur i merrnin nga rrethet, madje pranë shtëpisë së tyre ndërtuan një shtëpi të vogël për akomodimin e puntorëve gjatë sezonit të vjeljes.
“Punëtorëve u kemi bërë afër shtëpisë një dhomë të rregullt me të gjitha kushtet, por prej 2 vjetësh po i marrim nga Saranda. Unë çdo ditë çohem në orën 6 dhe shkoj të marr punëtorët në Butrint, e kam punë të përditshme, dhe sërish kur mbarojnë i coj. Kur dita është e mirë punëtori punon e mbledh mallin, por kur është shi edhe mua me vjen keq për punëtorin që po laget. Puna më e vështirë e kësaj është në mbledhje.”
Këtë vit sezonin e vjeljes e mbyllën që në fillim të dhjetorit, kjo për shkak se prodhimi ishte më i ulët se viti i shkuar, por më cilësor sipas tyre dhe me çmim të mirë për fermerin.
Teksa janë të kënaqur për mënyrën se si ka shkuar investimi i tyre ku vendosën çdo para të familjes, ata thonë se kënaqësia e punës në vendin tënd është e pamundur të gjendet tjetërkund.
“Ne e mbaruam sezonin, ky vit ishte pak i vështirë por prapë ndyshe nga vitet e tjera tregu ka qenë më i mirë. Në pikat e grumbullimit që çojmë janë njerëz të mirë që na e marrin prodhimin dhe nuk kemi ankesa në drejtim të lekut.”
“Jetën që bën në vendin tend nuk e ben askund tjetër, qetësinë qe ke ne vendin tend, nuk e ke në asnjë vend tjetër. Kush dëshiron, jo vetëm portokalle e manderin por gjithçka tjetër mund ta bëjë në vendin e tij, ka shumë lodhje kjo punë por të nxjerrë me sukses.”
Konispoli eksporton çdo vit thuajse 50 mijë ton mandarina, ka rreth 1000 fermerë e mijëra të punësuar./abcnews.al