CIA: Vrasja e gazetarit është urdhëruar nga Princi

schedule11:06 - 17 Nëntor, 2018

schedule 11:06 - 17 Nëntor, 2018

Agjencia Amerikane e Inteligjencës, CIA, është e bindur që vrasja e gazetarit Khashoggi është urdhëruar nga princi trashëgimtar i Kurorës së Arabisë Saudite. Por qeveria e Rijadit nuk pranon një gjë të tillë duke thënë se fajtorët do të dënohen me vdekje.

CIA është e bindur se princi trashëgimtar i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, urdhëroi vrasjen e gazetarit disident Jamal Khashoggi. Kjo është zbuluar nga mediat amerikane në bazë të “burimeve të brendshme” të agjencisë. Sipas shërbimeve amerikane, edhe nëse nuk ka “ndonjë të dhënë konkrete” që provon fajin e princit, një veprim i tillë nuk do të kishte qenë i mundur pa miratimin e tij.

Dy ditë më parë, Rijadi tha se kishte identifikuar fajtorin dhe Prokurori i Përgjithshëm njoftoi se do të kërkonte dënimin me vdekje për 5 nga 11 të pandehurit. Midis tyre është numri dy i Inteligjencës Saudite, gjenerali Ahmed al-Assiri, një bashkëpunëtor i ngushtë i Princit. Por Arabia Saudite mohoi ndonjë përfshirje të Mohammed Bin Salman, i cili “nuk ishte në dijeni” për atë që po ndodhte në konsullatën në Stamboll më 2 Tetor.

Sipas Riajdit, komandoja me 15 agjentë e dërguar në Turqi, kishte për detyrë të bindte gazetarin për t’u kthyer në shtëpi, por pas një “përleshje,”Khashoggi-t iu bë një injeksion për ta vënë në gjumë. Por ky injeksion rezultoi fatal për bashkëpunëtorin e Uashington Post. Megjithatë, versioni saudit nuk i bind hetuesit turq që e konsiderojnë vrasjen “si të paramenduar”. Presidenti Recep Tayayip Erdogan tha se urdhëri kishte ardhur “nga majat më të larta të qeverisë saudite”, domethënë nga Princi i Kurorës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!