Gabriele Gravina, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ka komentuar në lidhje me situatën e krijuar pas provimit të Luis Suarez për gjuhën italiane. Ai ia lë çështjen drejtësisë, ndërkohë që nuk mungon edhe një batutë që lidhet me kafshimin që sulmuesi i kishte bërë vite më parë mbrojtësit Giorgio Chiellini.
“Mendoj se kjo është e ekzagjeruar, le të lëmë Prokurorinë Federale të punojë. Ai është një personi cili erdhi në Itali për të përfunduar studimet. Ai filloi ta mësonte gjuhën italiane disa vite më parë. Chiellini di diçka për këtë, që kur i kafshoi veshin. Sidoqoftë nuk mendoj se mund të ketë dyshime mbi drejtësinë italiane”, është shprehur Gravina për “Sky Sport”.
Guardia di Finanza ka nisur hetimet në Itali, për shkak se ka dyshime që Suarez i kishte pasur pyetjet e provimit të gjuhës më parë, ndërkohë që nga përgjimet del se avokatja e Juventusit, Maria Turco, i ka premtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Universitetit të Perugia se do t’u dërgonte edhe futbollistë të tjerë të huaj atje, çka do t’i rriste prestigjin universitetit.
Tashmë ajo mund të përballet me akuzën e korrupsionit, ndërkohë që edhe drejtuesit e universitetit janë nën akuzë për shpërdorim të detyrës. Prej ditësh hetuesit kanë zbarkuar aty dhe kanë marrë dokumente të ndryshme, për të vërtetuar akuzat e tyre dhe për të parë nëse ka edhe shkelje të tjera. /abcnews.al

