Charles Michel pritet të udhëtojë në dhjetor drejt Kinës

schedule12:35 - 24 Nëntor, 2022

schedule 12:35 - 24 Nëntor, 2022

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel do të udhëtojë në Pekin më 1 dhjetor për tu takuar me presidentin kinez Xi Jinping.

“Ne do të diskutojmë sfidat globale si dhe çështjet me interes të përbashkët”, nënvizoi kreu i këshillit që përfaqëson 27 vendet anëtare të BE-së në një postim në Twitter.

Takimi do të zhvillohet ndërsa europianët janë ende në kërkim të linjës së tyre të përbashkët ndaj Kinës, duke u përpjekur të vendosin një ekuilibër midis Uashingtonit dhe Pekinit, por edhe midis vetë shteteve europiane.

“Në kontekstin e një mjedisi të tensionuar gjeopolitik dhe ekonomik, vizita është një mundësi e mirë për BE-në dhe Kinën që të angazhohen në dialog”, tha Këshilli Europian në një deklaratë.

Më 12 nëntor, Charles Michel i bëri thirrje Pekinit që të bindë Rusinë që të ndryshojë qasjen kundrejt Ukrainës.

“Ne inkurajojmë autoritetet kineze të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të bindur Rusinë të respektojë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, të respektojë sovranitetin e Ukrainës”, tha politikani belg për AFP.

Marrëdhëniet tregtare kino-europiane mbeten të forta, veçanërisht për Gjermaninë, kancelari i së cilës, Olaf Scholz, ishte udhëheqësi i parë i Grupit të Shtatë (G7) që vizitoi Kinën që nga pandemia në fund të tetorit.

/abcnews.al