Champions League/ “Kam kujtime të hidhura te Bayern”, Ancelotti: Përballen dy skuadra të mëdha

schedule09:56 - 30 Prill, 2024

schedule 09:56 - 30 Prill, 2024

Pritet spektakël dhe vetëm spektakël. Mbrëmjen e kësaj të marte rikthehet kompeticioni më i bukur, në botën e futbollit, UEFA Champions League, me “Bavarezët” e Bayern Munich, që do të presin, në “mitikun” e tyre, “Allianz Arena”, “Galaktikët” e Real Madrid, në sfidën e parë gjysmëfinale, të këtij turneu.

Siç e do zakoni, një ditë para sfidës u zhvilla edhe konferenca e zakonshme për shtyp, nga ku tekniku i spanjollëve, Carlo Ancelotti, i cili fillimisht u shpreh se ka kujtime të hidhur, me “Bavarezët”, në kohën kur ishte në krye të pankinës së këtyre të fundit, teksa më tej foli edhe për penalltitë, që e kualifikuan përballë “Qytetarëve”, të Manchester City, ku tha se i ka parë vetëm pas përfundimit të sfidës.

“Është emocionuese për mua të rikthehem në Gjermani përballë Bayern Munich. Kam kujtime të bukura, por edhe të hidhura njëkohësisht për shkak të shkarkimit, megjithatë, ndeshja e së martës do të jetë një histori tjetër dhe mua më duhet të mendoj për të tashmen dhe jo për të kaluarën.

Si ka ndryshuar Real në sulm? Largimi i Benzema ndryshoi paksa taktikat sepse tani skuadra është më shumë e lëvizshme dhe është e paparashikueshme. Nga ana tjetër, edhe Bayern ka sulmues të mëdhenj, mjafton të përmendim Harry Kane. Përballen dy skuadra plot me lojtarë të mëdhenj dhe shumë histori.

A kam vendosur bast këtë sezon me Valverden? Jo, këtë vit nuk kemi vendosur bast. Valverde ka zhvilluar një sezon shumë të mirë, dhe ia ka dalë në të gjitha rolet që ka luajtur. Është një lojtar që më pëlqen shumë. Ndeshja me Cityn? Kam riparë vetëm penalltitë pasi nga fusha nuk guxova t’i ndiqja”,- u shpreh Ancelotti. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!