Champions League/ “Galaktikët” sfidojnë kampionët e Italisë, Inter pret në “shtëpi” Benfica-n

schedule09:56 - 3 Tetor, 2023

schedule 09:56 - 3 Tetor, 2023

Pas përfundimit të fazës së parë të grupeve, të UEFA Champions League, e cila ishte spektakolare dhe me një numër të lartë golash, mbrëmjen e kësaj të marte, kompeticioni më i rëndësishëm për klube në botë do të startojë përballjet e fazës së dytë të grupeve, ku nuk do të mungojnë as përplasjet e “titanëve”.

Kështu, në grupin A, “djajtë e kuq” të Manchester United kërkojnë të hedhin “pas krahëve”, humbjen ndaj “bavarezët” të Bayern Munich, si dhe serinë e humbjeve në kampionat, teksa në mitikun “Old Trafford” do të përballen me kampionët turq të Galatasaray, në një sfidë që premton spektakël të vërtetë. Në përballjen tjetër, “bavarezët” e Bayern Munich do të udhëtojnë drejt transfertës daneze të Copenhagen, në një ndeshje ku nuk pritet asgjë tjetër përveç fitores së gjermanëve.

Në grupin B, “topçinjtë” e Arsenal kërkojnë të ruajnë formën e mirë, në prag të përballjes të së dielës, ndaj Manchester City, teksa mbrëmjen e sotme do të përballen me francezët e Lens, në një përballje që nuk pritet të kenë vështirësi. Në krahun tjetër, nënkampionët e Holandës, PSV do të presin në “shtëpinë” e tyre, “andaluzianët” e Sevilla, në sfidën që pritet të tregojë më shumë mbi emrin e skuadrës që do të pozicionohet në vendin e 2-të në grup, pas “topçinjve”.

Në grupin C, “galaktikët” e Real Madrid do të udhëtojnë drejt transfertës së “Diego Armando Maradona”, ku do të sfidohen nga kampionët e Italisë, Napoli, në një përballje që pritet të jetë e luftuar nga të dyja skuadrat. Në sfidën tjetër të grupit, gjermanët e Union Berlin kërkojnë t’i japin fund krizës së 5 humbjeve radhazi, teksa në “Olympiastadion” të Berlinit do të presin portugezët e Braga, në një sfidë që nuk premton asgjë më pak se “beteja” në fushën e blertë.

Ndërkaq, në grupin D, nënkampionët e Evropës, Inter do të presin në mitikun e Italisë, “Giuseppe Meazza”, “shqiponjat” e Benfica, me teknikun Simone Inzaghi, që pritet të ketë në dispozicion të gjithë “zikaltërit” e tij dhe një Lautaro Martinez në super formë, i cili mbrëmjen e së shtunës arriti të shënojë plot 4 gola, në 30 minuta, në sfidën ndaj Salernitana. Në krahun tjetër, “baskët” e Real Sociedad do të udhëtojnë drejt Austrisë, aty ku i presin kampionët vendas të Salzburg, me këta të fundit që do të kërkojnë të ruajnë formën e mirë, pas një fitoreje “surprizë” në transfertën e Benfica, në përballjen e fazës së parë. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!