Sevilla-Dortmund është një nga përballjet më interesante në raundin e 1/8 të Champions League. Sfida e parë luhet sonte në mbrëmje në Andaluzi, aty ku dy ekipet do të tentojnë të hedhin një hap drejt kualifikimit në çerekfinalet e turneut më të rëndësishëm për klube.
Sytë e tifozëve të Dortmundit janë fokusuar tek Erling Haaland, goleadori kryesor i verdhezinjve. 20-vjeçari norvegjez ka dhënë një prononcim për faqen e UEFA-s, aty ku prek disa tema të ndryshme, duke rikujtuar edhe debutimin me gol.
“E kam pasur gjithmonë ëndërr të luaja në Champions League, por s’e kisha imagjinuar kurrë që do të debutoja me gol. Në fakt kaluan vetëm 100 sekonda dhe tundja rrjetën. Stadiumi i Salzburg shpërtheu dhe ishte një ndjesi e jashtëzakonshme.
Unë gjithmonë zbres në fushë për të bërë gjëra të bukura. Nëse pozicionohem mirë në fushë dhe ia dal t’i bëj gjërat siç duhet, atëherë golat nuk do të mungojnë. Mjafton të jesh i përqendruar, golat do të vijnë“, thekson Haaland. /abcnews.al