Kosova ka shanset e saj për t’u kualifikuar në EURO 2020 dhe për këtë duhet të mundë Maqedoninë fillimisht, që të fitojë mundësinë të luajë finalen me triumfuesin e çiftit Bjellorusi-Gjeorgi. Një ditë ma parë në Bukuresh u hodh shorti dhe për Dardanët ka dy mundësi.
E para është, që nëse kualifikohen, të jenë në grupin C me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë. Ka edhe një opsion tjetër: Nëse Rumania fiton grupin e vet të play-off, atëherë Kosova do t’i bashkëngjitej grupit F, ku marrin pjesë Gjermania, Franca dhe Portugalia.
Një koment në lidhje me shortin e ka bërë edhe trajneri Bernard Challandes, i cili për Supersport është shprehur: “Ai grupi i parë me Holandën është më i mirë për ne, duke parë se opsioni i dytë do të ishte me skuadra më të vështira. Gjithsesi i pranoj të gjithë grupet nëse kualifikohemi.
Sigurisht, nuk mund të themi se ka ekipe më të lehta në Europian. Më e vështirë dhe e rëndësishme është të fitojmë në play-off. Mendoj se kemi një skuadër të mirë dhe shpresoj që të kem lojtarët më të mirë në dispozicion për ato ndeshje. Pastaj mendojmë për Europianin”. /abcnews.al