Kosova nuk ia doli të evitojë humbjen as ndaj Sllovenisë. Një gol i Haris Vuckic në mesin e pjesës së parë i dhuroi tre pikë të tjera miqve në grupin 3 të Nations League, teksa kjo ishte disfata e tretë radhazi për dardanët, të cilët nuk fitojnë prej 14 tetorit të vitit të kaluar (2-0 ndaj Malit të Zi).
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes foli pas humbjes, duke vijuar të insistojë se do i mbrojë futbollistët e tij. “Po vuajmë për të shënuar në këtë periudhë. Skuadra ka provuar, por nuk po gjejmë zgjidhje.
Duhet të luajmë si ekip, lojtarët që u aktivizuan janë të mirë, ne ishim ekipi më i mirë në fushë. Qarkulluam topin dhe ndërtuam aksione të mira, skuadra më pëlqeu. Mendoj se djemtë bënë një lojë të mirë, por ju analistët mendoni ndryshe, është puna juaj.
Jam i lumtur me paraqitjen, por i zhgënjyer për lojtarët. Gjithsesi, unë do i mbroj ata, janë munduar dhe po mundohen për të bërë më të mirën. E kam për detyrë të mbroj skuadrën time“, deklaroi trajneri zviceran i Kosovës. /abcnews.al