Kosova fitoi sot miqësoren e dytë në tre ditë, duke mundur Maltën me shifrat 2-1, falë një dygolëshi të Milot Rashicës (luajti në qendër të sulmit). Trajneri Bernard Challandes foli për mediet pas ndeshjes dhe vlerësoi paraqitjen e të tijve, por pranoi se mund të bëhej më mirë, sidomos në aspektin e finalizimit.
NDESHJA – “Ishte një ndeshje e mirë, por natyrisht që mund të kishim bërë më mirë. Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, përballë një kundërshtari që uy mbrojt fort, por pësuam gol në rastin e vetëm të Maltës. Në pjesën e dytë ishim disi më të relaksuar dhe shpërdoruam edhe ato raste që kishim, megjithatë ia dolëm të shënojmë dy herë dhe të marrim fitoren.
FINALIZIMI – “Mund të bëjmë shumë më mirë, sidomos në aspektin e finalizimit, pasi nëse krijon kaq shumë dhe gabon, rrezikon të mos marrësh rezultat. Gjithsesi është fundi i sezonit dhe shumë lojtarë nuk kishin motivimin e duhur, ashtu si edhe të tjerë që luajtën edhe ndaj San Marinos dhe shfaqën shenja lodhjeje”.
RASHICA – “Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm i Kosovës dhe ka luajtur në të gjithë pozicionet e repartit të sulmit. Nuk është një pykë tipike, por më shumë një sulmues i fshehtë, që ka eksperiencën e duhur për të bërë mirë në çdo pozicion. Sot doja të shihja një tjetër futbollist në majë të sulmit, por ai u dëmtua dhe ia besuam Milotit atë pozicion”, u shpreh Challandes. /abcnews.al