Bernard Challandes tregohet realist në prononcimin e dhënë në SuperSport Kosova pas humbjes me Çekinë. Trajneri i Kosovës pranon disfatën, tregon pengun e vetëm dhe uron kundërshtarët. Trajneri i dardanëve vlerëson fazën eliminatore të djmeve të tij dhe thekson se Kosova duhet të ndihet krenare me ekipin që ka.
HUMBJA – “Nuk luajtëm ndeshjen tonë. Kishim përballë një skuadër shumë të fortë. Ata ishin më të mirët sonte dhe urime për kualifikimin. Mendoj se nuk kemi marrë sa duhet rrezik në ndërtimin e aksioneve”.
KËRKESA – “U kërkova lojtarëve që të luajnë futbollin e tyre dhe të ndërmerrnin risk. Nuk ia dolëm, por edhe Çekia luajti me intensitet të shkëlqyer. Jemi të zhgënjyer, mund të luanim futboll, por nuk e bëmë”.
BEFASIA – “Nuk e kuptoj pse skuadra nuk tentoi ndërtimin e aksioneve. Çekia ishte shumë e fortë, agresive, por duhet të kishim provuar të sulmonim. Kualifikimi nuk arrihet ashtu si luajtëm në pjesën e parë ose 20 minutat e fundit”.
URIMET – “Duhet të tregoheshim të qetë, por urime skuadrës, jo për sonte, por i falënderoj për gjithçka kanë bërë. Kosova duhet të jetë krenare, jo për rezultatin e sotëm, por për çfarë kanë bërë deri tani”.
PENGU – “Nuk mund të ndryshojmë asgjë deri tani. Çekia kontrolloi ndeshjen, nuk mund të jem i acaruar me skuadrën. Ndihem i nevrikosur që nuk luajtëm sa mundëm, ky është pengu i vetëm. Kishim dëmtime, nuk kemi 50 lojtarë, por i uroj të gjithë futbollistët për atë që kemi bërë”. /abcnews.al