Ambasadori i BE-së Luigi Soreca është takuar ditën e sotme me drejtuesin e Prokurorisë Speciale Anti-Korrupsion SPAK, Arben Krajën.
Lajmin e ka dhënë vetë ambasadori i BE, i cili nëpërmjet një postimi në “Twitter”, ka treguar diskutimet e zhvilluara gjatë takimit. Soreca tha se ata kanë diskutuar për sfidat e SPAK si institucion të ri i reformës në drejtësi:
“Takim shumë produktiv sot me Kryetarin e SPAK Z. Arben Kraja. Ne diskutuam sfidat e SPAK si institucion të ri. Kemi diskutuar gjithashtu për rishpërndarjen e kompetencave me Prokurorinë e Përgjithshme dhe zyrat lokale, dhe zbatimin e ligjit të ri për masat parandaluese”, shkruan Soreca.
Tashmë SPAK është në fazën e testimit dhe intervistimit të kandidatëve për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa pritet që procesi të zgjasë rreth 2 muaj.
Ndërkohë Paketa e qeverisë kundër krimit dhe parave të pista, parashikon që njësia special OFL të dërgojë në SPAK formularët e vetëdeklarimit të pasurisë, plotësuar nga personat me rekorde kriminale.
SPAK-u që ka afat 15 ditë për tu shprehur mbi to, në rast se SPAK ka dyshime se subjekti nuk ka burime të ligjshme për justifikimin e pasurisë, atëherë ai e dërgon çështjen në gjykatën speciale.

