Gol i Leo Messit i dhuroi fitoren Argjentinës në miqësoren e luksit kundër Brazilit. Rivaldo ka luajtur e fituar shumë me kombëtaren e tij, por ish-kampioni i botës dhe ish-fituesi i “Topit të Artë”, nuk shqetësohet nga humbja. Ai ka një siklet tjetër, fanellën me numër 10.
Ajo është shumë e shenjtë në Brazil, teksa në ndeshjen e djeshme u mbajt mbi shpinë nga Lucas Paqueta, i cili zëvendësoi Coutinhon në pushim të ndeshjes. Rivaldo ua kujton të gjithëve rëndësinë e këtij numri, mbron milanistin dhe ka një mesazh të fortë për trajnerin Tite e stafin e tij teknik me anë të një prononcimi në rrjetet sociale.
“Pashë miqësoren kundër Argjentinës dhe ndjeva trishtim me atë që i ka ndodhur fanellës me numrin 10. Ia kishin dhënë Paqueta-s, por ajo fanellë respektohet në të gjithë botën. Nuk mund t’i jepet dikujt që qëndron në stol ose luan një pjesë loje. E kanë veshur Pele, Rivelino, Zico, Rivaldo, Kaka, Ronaldinho dhe Neymar.
Nuk dua të fajësoj lojtarin, por Tite dhe stafi i tij e dinë peshën e atij numri. Nuk mund të djegin një 22-vjeçar, i cili mund të ketë të ardhme fantastike. Paqueta duhet mbrojtur, njësoj si ndodhi me Rodrygo, i cili tani po zhvillon ndeshje shumë të mira me Real Madrid“, përfundon Rivaldo. /abcnews.al