Tifozët e Brazilit e mbajnë mend shumë mirë Aldair, i cili ishte një pikë shumë e fortë në repartin e mbrojtjes së kombëtares. 55-vjeçari kaloi 13 sezone te Roma, skuadër në të cilën mbante shiritin e kapitenit përpara Francesco Tottit.
Gjatë kohës që luante në Serie A, ai është përballur me shumë sulmues të mëdhenj, por njëri ishte i jashtëzakonshëm. E njihte mirë, pasi e kishte bashkëpatriot dhe kanë provuar të luajnë e fitojnë së bashku te Brazili.
“Ronaldo Fenomeni ishte i pakapshëm. Atë mund ta frenoje vetëm me mitraloz, përndryshe ishte e pamundur. Me Zeman luanim shumë lart, mbrojtja dilte gati në mesfushë”, deklaron Aldair për ESPN. Ish-mbrojtësi brazilian vazhdon dhe thur elozhe për Ronaldon.
“Kur ai nisej në shpejtësi, nuk kishte asnjë mënyrë për ta ndalur. Ronaldo turrej nga të gjitha anët e fushës. Sapo ngadalësonte pak vrapin dhe ti përpiqeshe ta kapje, ai rinisej përsëri edhe më shpejt. Shpërthimi dhe shpejtësia e Ronaldos, nuk ishin diçka normale”, thekson Aldair. /abcnews.al