Çfarë po hamë? Kjo është një pyetje që vazhdojmë ta bëjmë prej shumë vitesh me shqetësimin e konsumatorëve që është shumë i madh. Për të folur mbi produktet që konsumojmë, të ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Bardhazi” ishin drejtori i AKU-së, Bledar Skënderi, kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, Frida Krifca nga AZHBR, Tana Kika drejtuese e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Ervin Resuli, fermer.
Nikolin Jaka ngriti shqetësimin se 88% e qumështit që konsumohet është në informalitet. Ai akuzoi se ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, qeveria shqiptare nuk e mbështet fermerin. “Qumështi i rrugës është më i kontaminuari sot. Jo se lopa e nxjerr të ndotur, por mënyra e trajtimit të tij dhe koha e shitjes, kontaminohet. Industria e qumështit lundron në 88% informalitet. Çmimi i qumështit është më i lartë i rajonit.
Industria e qumështit është më e pa strukturuara. Skema mbështetëse ul çmimin në treg, ne nuk e kemi. Problemi është se nuk janë ndërgjegjësuar se bujqësia funksionon vetëm me skemë mbështetëse. Konsumatori shqiptar duhet të heqë dorë nga skepticizmi që cdo gjë është e kontaminuar, ne jemi mësuar, vetëm të akuzojmë. Biznesi është në proces standardizimi, qeveria 30 hapa mbrapa në proces zhvillimi. AKU-ja duhet të jetë çekiçi për zbatimin e ligjit” tha ai. Po kush duhet ti kontrollojnë shitësit ambulantë? “Është më tepër e policisë bashkiake, që nuk duhet t’i lejojë që të shesin në rrugë” tha Skënderi.
Por kreu i AKU-së, Bledar Skënderi garanton konsumatorët se cdo produkt në treg është i kontrolluar. “Shteti në një ekonomi tregu luan një rol rregullator. Ne po nxisim biznesin të bëjë një fermë, serë, të prodhojë. Unë garantoj që cdo produkt që importohet kontrollohet në doganë me dokumente, afati i kadencës, etj. Cdo produkt që prodhohet në Shqipëri shkohet dhe kontrollohet në mënyrë periodike. Garantoj qytetarët që e gjithë trupa e AKU-së është e specializuar. Kjo një betejë që nuk mbaron asnjëherë mes shtetit dhe shkelësve” tha ai.
Frida Krifca u shpreh se nga viti në vit mbështetja për bujqësinë është rritur. “Gjatë 2020, pandemisë vendosëm ta bënim vetëm online aplikimin, e bëra edhe për të testuar, ne patëm 20% më shumë kërkesë se një vit më parë. Unë fle dhe zgjohem me idenë si do përmirësoj procesin. Ne jemi ku e ku, ku kemi qenë me mbështetjen ndaj fermerit. Unë nuk vij nga bujqësia, por kam rënë në dashuri me sektorin bujqësor”.
Drejtuesja e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë tha se situata nuk është fushë me lule, por konsumatori nuk duhet të trembet. “Ka panik te konsumatori. Jo se është fushë me lule, por qasja e ndërgjegjësimit nuk duhet të jetë frikësuese.
Qeveria nuk garanton sigurinë ushqimore, sigurinë e ushqimeve të kujt? Fermerëve, që janë hallka themelore e sigurisë ushqimore të konsumatorit shqiptar sot. Me këtë dua ta mbyll. Është përgjegjësi e fermerit, kapaciteti i ndërgjegjësimit të fermerit, objektivitet i shtetit?” përfundoi ajo./ db/Abcnews.al