Çfarë po e shkakton ngrohjen globale?

schedule16:27 - 14 Korrik, 2023

schedule 16:27 - 14 Korrik, 2023

Ndërsa hemisfera veriore është në “zemrën e verës”, efekti termik i kupolës po godet pjesë të Evropës dhe SHBA-së, me valë të forta të të nxehtit.

Ndërsa temperaturat arrijnë nivele rekord në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara, një tjetër “kupolë termike” po vendoset mbi pjesën jugore të vendit, por edhe Meksikë.

Është një fenomen atmosferik i lidhur me një masë ajri të ngrohtë dhe të thatë që “qëndron” për një periudhë të gjatë kohore në një zonë. Masa ajrore “imobilizohet” si pasojë e të cilës temperaturat mbahen në nivele të larta.

E njëjta situatë është në rajone të panumërta të planetit, nga Kina në Algjeri, që nga fundi i pranverës. Më 6 korrik, temperatura në Andrar të Algjerisë nuk ka zbritur nën 35 gradë Celsius, as gjatë natës. Në Britaninë e Madhe, vapa e qershorit theu të gjitha rekordet.

Temperatura të larta po shënohen edhe në Evropë me kupolën e ngrohtë që po shfaqet edhe në Italinë fqinje, ku Roma pritet të shënojë rekorde të reja temperaturash.

Tendenca drejt valëve më intensive dhe më të gjata të të nxehtit është një shenjë dalluese e krizës klimatike të lidhur me djegien e lëndëve djegëse fosile dhe çlirimin e gazeve serrë.

Java e parë e korrikut ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në nivel global, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike. Ekspertët tashmë po parashikojnë se El Niño në zhvillim ka të ngjarë ta bëjë vitin 2023 vitin më të nxehtë në botë. Ata kanë frikë se kufiri kritik i rritjes së temperaturës prej 1.5 gradë Celsius ka gjasa të tejkalohet.

Nxehtësia ekstreme – veçanërisht nëse zgjat – është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe potencialisht fatale. Nxehtësia çon në më shumë vdekje sesa uraganet, tornadot dhe përmbytjet së bashku. Një studim i ri në revistën Nature Medicine zbuloi se më shumë se 60,000 njerëz vdiqën gjatë valëve të të nxehtit në Evropë verën e kaluar.

Ky raport tregon se planet e vendosura nga autoritetet lokale, të tilla si sistemet e paralajmërimit të hershëm, nuk janë të mjaftueshme për të mbrojtur popullatat e cenueshme.

Këto temperatura ekstreme të tokës u kombinuan me temperaturat rekord të oqeaneve në mbarë botën. Atlantiku i Veriut, për shembull, aktualisht po regjistron temperaturat më të larta të sipërfaqes të vëzhguara ndonjëherë. Në fillim të prillit, temperatura mesatare e sipërfaqes së oqeanit, duke përjashtuar ujërat polare, arriti në 21.1 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin vjetor prej 21 gradë Celsius të vendosur në mars 2016, sipas të dhënave nga Observatori Kombëtar Oqeanik dhe Atmosferik i SHBA-së (NOAA).

Realiteti klimatik pritet të përkeqësohet me ardhjen e fenomenit El Niño i cili u shfaq më herët nga sa prisnin shkencëtarët. Ky është një fenomen klimatik periodik. Herën e mëparshme që ishte shfaqur ishte në vitin 2016, vit që është regjistruar si më i ngrohti i të gjitha kohërave.

Megjithatë, të dhënat e mësipërme janë më pak të rëndësishme sesa tendenca afatgjatë e rritjes së temperaturës. Një verë me temperatura të larta sot konsiderohej e nxehtë disa dekada më parë, por një verë e nxehtë sot do të jetë një verë “e freskët” pas disa dekadash. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!