Pas lajmit për arritjen e marrëveshjes mes Londrës dhe Brukselit për Brexit, në media qarkullojnë detajet e tekstit. Ndërkohë që unionistët e Irlandës së veriut deklarojnë se nuk do ta mbështesin kur të vijë radha e votimit në parlamentin britanik.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat, në marrëveshjen e arritur për Brexit mes Londrës dhe Brukselit, parashikohet se formalisht Irlanda e Veriut nuk do të jetë në unionin doganor me Mbretërinë e Bashkuar, por faktikisht për të paktën dhjetë vjet do të jetë pjesë e tregut të përbashkët europian.
Nuk do të ketë një kufi të ashpër mes dy Irlandave!
Irlanda e veriut do të zbatojë disa rregulla tregtare europiane, ndërsa autoritetet britanike do të vëzhgojnë rregullat doganore që do të aplikohen. Irlanda e veriut do të qëndrojë në unionin doganor britanik por do të jetë një pikë hyrëse në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian. Autoritetet britanike mund të aplikojnë tarifa nëse nuk do të hyjnë më në tregun e përbashkët.
Çdo katër vjet përfaqësuesit e Irlandës së veriut mund të vendosin me mazhorancë të thjeshtë nëse do të vazhdojnë të aplikojnë rregullat europiane ose jo.
Por partia unioniste e Irlandës së Veriut, bëri të qartë me anë të një deklarate për mediat se nuk do të mbështesë këtë marrëveshje. Dyshimet kanë të bëjnë me regjimin doganor dhe me mungesën e qartësisë për taksat.
Unionistët mendojnë se kjo marrëveshja është vetëm hapi i parë i braktisjes progressive nga ana e Londrës. Një zyrtar i Bashkimit Europian bëri të qarë se gjatë Këshillit Europian nuk do të ketë negociata të tjera për Brexit.
Pa mbështetjen e deputetëve të Irlandës së Veriut është shumë e vështirë që kjo marrëveshje të miratohet në parlamentin britanik.
Dhe lideri i opozitës Corbin shprehu qartë kundërshtimin e tij për marrëveshjen duke thënë se Johnson kishte negociuar një marrëveshje dhe më të keqe se ajo e paraardhëses së tij May.
Duke shtuar se marrëveshja duhej refuzuar pasi është një shitje e vendit, Korbin theksoi se mënyra më e mirë për të zgjidhur çështjen e Brexit ishte dhënia e një mundësie të re që britanikët të shprehin vullnetin me votë./ABC News Albania