Çfarë ndodh pasi aneksimeve të fundit të Moskës?Këta janë skenarët…

schedule15:41 - 3 Tetor, 2022

schedule 15:41 - 3 Tetor, 2022

Nga Emanuele Rossi & Gabriele Carrer “Formiche.net

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

“Me aneksimin e zonave aktualisht të pushtuara në Ukrainë, Vladimir Putin po përpiqet të konsolidojë politikisht atë që ai nuk mund të jetë i sigurt se do të arrijë ta mbajë ushtarakisht. Në këtë mënyrë ai mund t’i tregojë opinionit publik rus se operacioni ushtarak special (përkufizimi që përdor Kremlini për ta ‘zbutur’ luftën në Ukrainë) ishte një sukses, pasi i dha mundësi Rusisë të marrë kontrollin e këtyre territoreve”- thotë Marie Dumoulin, drejtoreshë e programit për Evropën në think-tankun “Eurpean Council on Foreign Relations”.

Aneksimi nga Rusia i rajoneve të Ukrainës Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson u shpall funjavën e kaluar, në një ceremoni që nisis me një fjalim drejtuar kombit nga presidenti rus, dhe që u pasua nga një koncert festiv në Sheshin e Kuq në Moskë.

Putin, vijon Dumoulin, duke komentuar zhvillimet për “Formiche.net” po “përpiqet ta dekurajojë Ukrainën nga përpjekjet për të rimarrë kontrollin mbi këto territore, por mbi të gjitha Perëndimin nga vazhdimi i mbështetjes së Ukrainën.

“Ai ndoshta shpreson që frika e një përshkallëzimi bërthamor, do ta nxisë Perëndimin të ushtrojë presion mbi Ukrainën për t’u ulur në tryezë dhe negociuar”- shton ajo. Menjëherë sapo u shpall aneksimi, ai u cilësua si i paligjshëm nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara.

Ato propozuan një rezolutë për këtë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndaj së cilës Rusia vuri veton. Jack Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, foli për kërcënimet bërthamore. “Për momentin ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt për përdorimin e armëve bërthamore nga Moska. Por do të vazhdojmë ta monitorojmë me shumë seriozitet situatën”-tha ai në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Nga ana tjetër ai njoftoi se “ushtria amerikane në Evropë është e gatshme për çdo lloj skenari”. Tani për Putinin nuk ka asnjë skenar për tërheqje nga hapat e ndërmarra. Aneksimi i këtyre territoreve nënkupton vendosjen e tyre nën ombrellën mbrojtëse – madje bërthamore – të Kremlinit. Dhe kjo mbrojtje duhet të jetë e pakthyeshme, përndryshe është e paqëndrueshme përballë presionit të çdokujt. Kjo do të thotë, se nuk ka kthim mbrapa, dhe çdo lloj lëshimi mund të shihet si humbje.

Dhe nëse dëshiron të mbijetojë në pushtet, Putini ka luksin të humbasë. “Aneksimi i 4 rajoneve të pushtuara nuk lë hapësirë ​​për negociata. Jo nga Ukraina, e cila nuk mund ta lejojë Rusinë që të përcaktojë se ku përfundon territori i saj. Dhe jo nga Rusia, sidomos tani që këto territore quhen ruse, nuk ka asnjë mundësi që Moska të mendojë t`ia kthejë ato Kievit”- thekson Dumoulin.

Sipas ekspertit të ECFR, pikërisht për këtë arsye po hyjmë në një fazë shumë të rrezikshme të konfliktit: “Ukraina do të vazhdojë të luftojë dhe të shpresojë se do të jetë në gjendje të rimarrë territoret e saj. Por Putini ka shumë pak gjasa që ta pranojë humbjen. Mobilizimi është pjesë e një strategjie përshkallëzimi të konfliktit. Se cilat do të jenë lëvizjet e tij të ardhshme, kjo gjë mbetet shumë e paparashikueshme”.

Kjo edhe sepse i gjithë ky rrugëtim politiko-taktik duhet të merret domosdoshmërisht bazuar tek ajo që po ndodh në fushën e betejës. Dhe siç u përmend më lart, për Moskën nuk ka asnjë lajm të mirë. E forcuar nga shtysa morale që kanë sjellë kundërsulmet e suksesshme në Jug dhe Lindje, Ukraina vazhdon që të sfidojë pushtimin rus të Donbasit, dhe së fundmi ka çliruar qytetin Lyman.

Kjo ngjarje ka një rëndësi të madhe morale dhe taktike. Përballë aneksimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se ka paraqitur një kërkesë zyrtare për anëtarësim në NATO. Sekretari i Përgjithshëm i aleancës,Jens Stoltenberg, reagoi në mënyrë të kujdesshme duke cituar rregulloret, dhe shpjeguar se anëtarësimi është larg të qeni një proces i menjëhershëm, pasi kërkon miratimin e 30 vendeve anëtarëve.

NATO nuk mund të lejojë anëtarësimin e një vendi në konflikt, pasi kjo do të nënkuptonte hyrjen në luftë (për shkak të nenit 5 mbi mbrojtjen kolektiv të traktatit të aleancës). Por Stoltenberg siguroi se ndihma ushtarake dhe politike do të vazhdojë pa pushim.

Nga ana tjetër, siç e thekson Gustav Gressel, bashkëpunëtor i ECFR, nga pikëpamja ushtarake, Ukraina vazhdon që të ruajë iniciativën në fushën e betejës dhe mobilizimi rus nuk do ta ndryshojë situatën edhe për ca kohë (dhe ndoshta asnjëherë). Sipas tij tani është koha që Perëndimi ta ndihmojë Kievin në luftën e tij çlirimtare.

“Perëndimi nuk duhet që të frikësohet nga kjo sjellje e Putinit. Agresioni dhe aneksimi nuk mund të shpërblehen. Ukraina ka ende një shans për ta fituar këtë luftë në fushën e betejës, dhe Perëndimi duhet ta mbështesë atë për ta arritur këtë qëllim”- thekson eksperti.

Gjithashtu, Gressel gjykon se Rusia e ka përfunduar tranzicionin e saj në një shtet fashist. Por fashizmi kërkon aftësinë për të mobilizuar në masë shoqërinë. Dhe në këtë kuptim, Rusia është ende shumë e mangët. “Për sa kohë që regjimi i Moskës mbetet në krye të vendit, siguria e Evropës do të bazohet vetëm tek parandalimi ushtarak”- përfundon Gressel.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!