Çfarë na mëson vrasja tragjike e Samuel Paty?

schedule09:42 - 18 Nëntor, 2020

schedule 09:42 - 18 Nëntor, 2020

Nga Anna Triandafyllidou, Open Democracy

Vrasja tragjike e mësuesit francez Samuel Paty nga 18 vjeçari Abdoullakh Anzorov, na fton të reflektojmë mbi arsyet pse të rinjtë e margjinalizuar,bëhen pjesë e Islamit radikal,duke zgjedhur vdekjen dhe kryer atë që ata e konsiderojnë si një akt të mbrojtjes së Profetit.

Po pse disa të rinj gjejnë përgjigje të frymëzuara nga ana fetare mbi problemet e tyre të jetës reale? Cili duhet të jetë reagimi ynë si shoqëri?Procesi i radikalizimit të këtyre të rinjve është kompleks. Siç e theksojnë Hisham Hellyer dhe Michele Grossman në një studim të fundit, pabarazia socio-ekonomike dhe diskriminimi, sigurojnë terrenin për forma të caktuara të ekstremizmit të frymëzuar nga feja.

Një pjesë e problemit, gjendet gjithashtu në refuzimin e shoqërisë franceze për të pranuar haptazi faktin,se myslimanët vuajnë shpesh nga diskriminimi dhe racizmi, dhe se parimi i barazisë është një mirazh për shumë të rinj me origjinë emigrante.

Në fakt, në mesin e muajit të shkuar në Francë ndodhën 2 ngjarje. Njëra ishte kursi i edukimit qytetar të Samuel Paty:vendimi për t’iu treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed si një shembull të lirisë së shprehjes (dhe ndoshta i kufijve të saj), dhe reagimi i Brahim C, babai i njërit prej nxënësve të Paty, që protestoi në shkollë për aktin e Paty.

Përveçse u ankua tek drejtori i shkollës – që ishte gjëja e duhur nga një prind që nuk është i kënaqur me mënyrën se si shkolla e fëmijës sillet me larminë fetare – Brahim C. postoi një video në rrjetet sociale duke shprehur zemërimin e tij në lidhje me incidentin. Ajo video u bë virale në rrjetet sociale.

Ngjarja e dytë ishte krimi i tmerrshëm që një i ri i radikalizuar me origjinë çeçene, Abdouallakh Anzorov, planifikoi dhe zbatoi:vrasjen e Samuel Paty, pasi në sytë e Anzorov, ai ofendoi Islamin dhe Profetin. Ndërsa Anzorov ishte radikalizuar dhe kishte shprehur prej muajsh pikëpamjet e tij ekstremiste dhe synimet e tij të dhunshme, ishin mediat sociale ato

që siguruan lidhjen thelbësore midis dy ngjarjeve.

Anzorov po kërkonte një viktimë, dhe mediat sociale përmes videos së Brahim C. ia ofruan një të tillë. Ky është ndoshta një leksion shumë i rëndësishëm për të mësuar nga vrasja tragjike dhe e papranueshme e Samuel Paty. Ne duhet të jemi më të ndërgjegjshëm mbi mënyrën se si po përdoren mediat sociale, dhe se si ato mund të dalin ndonjëherë nga kontrolli, dhe të çojnë në pasoja tragjike.

Sigurisht që Brahim C. nuk është përgjegjës për aktin e Anzorov. Por fatkeqësisht, ne jetojmë në një botë të mediave sociale, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në proceset e radikalizimit të dhunshëm të të rinjve. Ne duhet ta pranojmë se si përdorimi në dukje i padëmshëm i mediave sociale mund të interpretohet keq, dhe si urrejtja dhe keqinformimi mund të nxitin polarizimin dhe dhunën.

Këtë e kemi parë kohët e fundit me grupimi konspirativ, QAnon, që ka depërtuar në kongregacionet e krishtera në internet, duke përhapur lajme të rreme dhe duke e ushqyer polarizimin. Kur flitet për besimin islam,disa pyesin nëse Franca po e humb betejën kundër lirisë së shprehjes.

Jo nuk është kështu. Megjithatë, një pjesë e problemit është se aktet terroriste shpesh portretizohen si përfaqësuese të një tipari të qenësishëm të Islamit, si një besim fetar ose sikur të gjithë myslimanët janë terroristë të mundshëm.

Ndërkohë, procesi i radikalizimit të dhunshëm i lidh disa të rinj me një version të gabuar të Islamit, që përfaqëson vetëm një pakicë të vogël myslimanësh, dhe që shqetëson dhe dëmton shumë edhe në vendet me shumicë myslimane si Maroku ose Tunizia.

Ne nuk duhet ta bashkojmë atë version të Islamit radikal dhe të dhunshëm salafist, me besimin tradicional, së cilit i përmbahen miliona njerëz në Evropë dhe në botë. Njëherazi nuk duhet të harrojmë se liria e shprehjes vjen bashkë me përgjegjësinë.

Fakti që mund të botosh diçka që cënon besimin fetar të dikujt,apo vlerat thelbësore morale, nuk do të thotë se duhet t`a botoni atë vetëm që të provoni se mund të ushtroni lirinë tuaj të shprehjes. Ne duhet të reflektojmë gjithmonë mbi aktet tona, dhe ta ushtrojmë lirinë tonë me përgjegjësi, në të gjitha fushat.

Natyrisht, është absolutisht e rëndësishme që shteti dhe ligjet tona të sigurojnë kornizën ligjore që e mbron lirinë tonë, dhe që ne të kemi si lirinë tonë fetare, ashtu edhe lirinë tonë për të shprehur kritikat dhe mendimet tona të ndryshme.

Sidoqoftë, në çdo rast ne duhet të mendojmë nëse shprehja e mendimit tonë kundër vlerave të dikujt tjetër, duhet gjithashtu të ofendojë vlerat ose bindjet e tjetrit. Ndjenjat fetare, qëndrojnë në themelin e ndjenjës së identitetit dhe dinjitetit të shumë njerëzve.

Së fundmi, ekziston një e ardhme ku Islami dhe Krishterimi në Evropë do të bashkëjetojnë. Por kjo kërkon ri-mendimin e kufijve të laicizmit, zgjedhjen e një shekullarizmi të moderuar (siç praktikohet në shumicën e vendeve evropiane), me një respekt më të madh për fenë, duke njohur rolin e veçantë që ajo luan në jetën e njerëzve.

Në të njëjtën kohë, ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje mënyrave përmes të cilave pabarazia socio-ekonomike, ndërthuret me diskriminimin dhe përjashtimin fetar dhe etnik. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar shoqëri që respektojnë diversitetin kulturor dhe fetar, dhe janë rezistente ndaj të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm (qoftë ky me orientim xhihadist, të supremacizmit të bardhë, ekstremit të djathtë apo të majtë). /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!