Nga Joseph S.Nye, JR, Project Syndicate
Kur Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, bëri thirrje kohët e fundit për një rivendosje të marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, deklaroi se SHBA-ja e pa marrëdhënien si një rivalitet të fortë,që kërkonte një pozicionim të fortë.
Është e qartë se administrata e presidentit Joe Biden nuk po ndryshon thjesht politikat e Donald Trump.Disa analistë, duke cituar Tukididin mbi Luftën e Peloponezit, për shkak të frikës së Spartës ndaj një Athine në rritje, besojnë se marrëdhënia SHBA-Kinë po hyn në një periudhë konfliktuale, duke vendosur përballë një hegjemon të vendosur kundër një sfidanti gjithnjë e më të fuqishëm.
Unë nuk jam dhe aq pesimist. Mendoj se ndërvarësia ekonomike dhe ekologjike,e zvogëlon mundësinë e një lufte të ftohtë të vërtetë, dhe aq më pak të një lufte të nxehtë, për shkak se që të dyja vendet kanë një nxitje për të bashkëpunuar mbi një numër fushash.
Njëkohësisht, përllogaritja e gabuar është gjithmonë e mundur, dhe disa e shohin rrezikun e “përgjumjes” përballë katastrofës, siç ndodhi me Luftën e Parë Botërore. Historia është e mbushur me raste të keq-perceptimit në lidhje me ndryshimin e ekuilibrave të pushtetit në arenën ndërkombëtare.
Për shembull, kur presidenti amerikan Richard Nixon vizitoi Kinën në vitin 1972, ai donte që të ekuilibronte atë që ai e shihte si një kërcënim sovjetik në rritje ndaj një Amerike në rënie. Por ajo që Nixon e interpretoi si rënie të SHBA-së, ishte në fakt rikthimi në normalitet i pjesës artificialisht të lartë të prodhimit global të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore.
Nixon shpalli publikisht multipolaritetin si qasje, por ajo që pasoi ishte shembja e Bashkimit Sovjetik dhe momenti unipolar i Amerikës 2 dekada më vonë. Sot, disa analistë kinezë e nënvlerësojnë qëndrueshmërinë e Amerikës dhe parashikojnë dominimin kinez, por edhe ky skenar mund të rezultojë të jetë një llogaritje e gabuar dhe e rrezikshme.
Është po aq e rrezikshme për amerikanët që të mbivlerësojnë ose nënvlerësojnë fuqinë kineze. SHBA-ja përmban grupe me stimuj ekonomik dhe politik që t’i bëjë që të dyja.
E matur në dollarë, ekonomia e Kinës është rreth 2/3 e madhësisë së ekonomisë amerikane. Por shumë ekonomistë presin që Kina ta tejkalojë SHBA-në diku në vitet 2030, në varësi të asaj që supozohet të jenë normat e rritjes kineze dhe amerikane.
A do ta pranojnë udhëheqësit amerikanë këtë ndryshim, në një mënyrë që të lejojnë pasjen e një marrëdhënie konstruktive, apo do t’i nënshtrohen frikës? A do të ndërmarrin më shumë veprime të rrezikshme udhëheqësit kinezë, apo kinezët dhe amerikanët do të mësojnë të bashkëpunojnë në prodhimin e të mirave globale publike, nën një shpërndarje të ndryshuar të fuqisë globale?
Le të mos harrojmë se Tukididi ia atribuoi 2 shkaqet e luftës që e shkatërroi botën e lashtë greke:ngritjes së një fuqie të re, dhe frikës që kjo krijoi tek fuqia aktuale. Shkaku i dytë është po aq i rëndësishëm sa i pari. SHBA-ja dhe Kina, duhet që të shmangin frikën e tepruar ndaj njëra-tjetrës,që mund të shkaktojë një luftë të re të ftohtë ose të nxehtë.
Edhe nëse Kina e tejkalon SHBA-në,duke u bërë ekonomia më e madhe në botë, të ardhurat kombëtare nuk janë njësia e vetme matëse e fuqisë gjeopolitike. Kina renditet shumë pas SHBA-së në fuqinë e butë, dhe shpenzimet ushtarake amerikane janë gati 4 herë më të mëdha se ato të Kinës.
Ndërsa aftësitë ushtarake kineze janë rritur vitet e fundit, analistët që vëzhgojnë me kujdes ekuilibrin ushtarak, arrijnë në përfundimin se Kina nuk do të jetë për shembull në gjendje që ta dëbojë SHBA-në nga prania e saj në Paqësorin Perëndimor.
Nga ana tjetër, SHBA-ja ishte dikur ekonomia më e madhe tregtare në botë dhe huadhënësja më e madhe e Kinës. Sot, gati 100 vende e llogarisin Kinën si partneren e tyre më të madhe tregtar, krahasuar me 57 vende që ka SHBA-ja.
Gjatë dekadës së ardhshme,Kina ka në plan të investojë më shumë se 1 trilionë dollarë në projektet e infrastrukturës së Nismës së Brezit dhe Rrugës, ndërsa SHBA-ja e ka reduktuar ndjeshëm ndihmën e jashtme. Kina do të fitojë fuqi ekonomike edhe nga madhësia e madhe e tregut të saj, si dhe nga investimet e saj jashtë shtetit dhe ndihma zhvillimore.
Fuqia e përgjithshme e Kinës në raport me SHBA-në, ka të ngjarë që të rritet. Gjithsesi, ekuilibrat e pushtetit janë të vështira për t`u gjykuar. SHBA-ja do të ruajë disa avantazhe afatgjata, që do të jenë në kontrast me fushat ku Kina mbetet e cënueshme.
Njëra prej tyre është gjeografia. SHBA-ja është e rrethuar nga oqeane dhe fqinjë që ka të ngjarë të qëndrojnë miqësore ndaj saj. Ndërkohë, Kina ndan kufijtë e saj me 14 vende, dhe mosmarrëveshjet territoriale me Indinë, Japoninë dhe Vietnamin,e kufizojnë jo pak fuqinë e saj të fortë dhe të butë.
Energjia është një tjetër fushë ku Amerika ka një avantazh. Një dekadë më parë, SHBA-ja ishte e varur nga energjia e importuar. Por revolucioni me hidrokarburet e shistit argjilor e ka shndërruar Amerikën e Veriut në një eksportuese të energjisë.
Njëherazi, Kina është bërë më e ndërvarur nga importet e energjisë nga Lindja e Mesme, të cilat duhet t’i transportojë përgjatë rrugëve detare që nxjerrin në pah marrëdhëniet e saj problematike me Indinë. SHBA-ja ka gjithashtu avantazh demografik.
Është i vetmi vend i madh i zhvilluar, që parashikohet të ruaj renditjen e tij globale (e treta) për sa i përket popullsisë. Ndërsa shkalla e rritjes së popullsisë amerikane është ngadalësuar në vitet e fundit, ajo nuk do të kthehet në norma negative, si në Rusi, Evropë dhe Japoni. Ndërkohë, Kina ka me të drejtë frikë nga “plakja përpara se sa të bëhet e pasur”.
Shumë shpejt, India do ta kapërcejë atë si vendi më i populluar në botë, dhe fuqia e saj punëtore arriti kulmin në vitin 2015. Amerika gjithashtu mbetet në krye të teknologjitë kryesore (bio, nano, dhe asaj të informacionit), të cilat janë thelbësore për rritjen ekonomike gjatë shekullit XXI-të.
Kina është duke investuar shumë në kërkim dhe zhvillim, dhe po konkurron mirë në disa fusha. Por 15 nga 20 universitetet më të mira kërkimore në botë ndodhen në SHBA, dhe asnjë prej tyren nuk është në Kinë. Ata që shpallin Pax Sinica dhe rënien e SHBA-së, nuk arrijnë të marrin parasysh gamën e plotë të burimeve të fuqisë.
Arroganca amerikane është gjithmonë një rrezik, por po ashtu është edhe frika e ekzagjeruar, e cila mund të çojë në reagim të tepruar. Po aq e rrezikshme është edhe rritja e nacionalizmit kinez, që i kombinuar me një besim tek rënia e Amerikës, mund ta nxisë Kinën të ndërmarrë rreziqe më të mëdha. Që të dyja palët duhet të kenë kujdes nga llogaritjet e gabuara. Tek e fundit, më shpesh po sesa jo, rreziku më i madh me të cilin përballemi është aftësia jonë për të bërë gabime. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al