Më shumë se tri dekada më parë, qeveria amerikane kreu arrestimin e udhëheqësit të një vendi të huaj: diktatorit panamez Manuel Noriega. Çështja e tij mund të shërbejë tani si një udhërrëfyes për prokurorët, avokatët mbrojtës dhe gjyqtarët e përfshirë në çështjen kundër presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Ashtu si Maduro, edhe Noriega u akuzua për pjesëmarrje në një operacion të gjerë kontrabande droge drejt Shteteve të Bashkuara. Edhe ai u kap gjatë një operacioni ushtarak në vendin e tij.
Avokatët e Noriegës nisën menjëherë një mbrojtje agresive, duke akuzuar Departamentin e Drejtësisë të administratës së presidentit George H.W. Bush për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të garancive të procesit të rregullt ligjor, përmes pushtimit të Panamasë dhe arrestimit të tij jashtë territorit amerikan.
Ata pretenduan gjithashtu se Noriega gëzonte imunitet si kryetar shteti i huaj.
Maduro, për të cilin prokurorët thonë se drejtoi “banda të sponsorizuara nga shteti” dhe lehtësoi trafikun e drogës në Venezuelë, ka gjasa të ngrejë “një sërë kundërshtimesh të rëndësishme ndaj ndjekjes penale”, të ngjashme me ato që tentoi Noriega, tha Steve Vladeck, analist ligjor i CNN dhe profesor në Qendrën Juridike të Universitetit Georgetown, në buletinin e tij One First.
Sipas Vladeck, çështja ka të ngjarë të përfshijë “argumente të reja kushtetuese dhe të së drejtës ndërkombëtare”, që mund të tërheqin disa nga avokatët më të njohur të mbrojtjes penale. “Kemi parë shumë pak raste të ngjashme me këtë,” tha të shtunën Elie Honig, analist i cështjeve ligjore CNN.
Argumentet e Noriegës përfundimisht dështuan: ai u gjykua dhe u shpall fajtor në vitin 1991, duke u dënuar me 40 vjet burg. (Në vitin 1992, një gjykatës federal vendosi se ish-diktatori ishte i burgosur lufte dhe duhej të përfitonte disa të drejta në burg, megjithëse gjykatësit nuk mund të caktojnë persona në institucione të caktuara penitenciare dhe aftësia e tyre për të zbatuar vendime të tilla është e kufizuar.)
Një faktor kyç në dështimin e mbrojtjes së tij ishte fakti se gjykatat amerikane “refuzuan të shqyrtonin ligjshmërinë e vetë pushtimit”, siç vuri në dukje Clark Neily nga instituti libertarian Cato Institute në një artikull të botuar të shtunën.
“Gjykatat federale vendosën se mënyra se si një i pandehur sillet përpara një gjykate amerikane — edhe me forcë, edhe nga territori i huaj — nuk e përjashton juridiksionin penal,” shkroi Neily.
Nëse Maduro përpiqet të argumentojë se është sjellë në SHBA në mënyrë të paligjshme, ekziston praktikë gjyqësore që shpjegon pse të pandehurit mund të ndiqen penalisht në SHBA edhe nëse janë transferuar atje në mënyrë të paligjshme.
Nëse prokurorët do të detyrohen të justifikojnë arrestimin e Maduros, ata mund t’i referohen një memorandumi të vitit 1989 nga Zyra e Këshilltarit Ligjor të Departamentit të Drejtësisë, të hartuar nga William Barr, ku pretendohej se presidenti kishte “autoritet të lindur kushtetues” për të urdhëruar FBI-në të arrestonte persona në vende të huaja, edhe nëse kjo shkelte të drejtën ndërkombëtare.
Barr do të bëhej më vonë prokuror i përgjithshëm si në administratën Bush ashtu edhe në administratën e parë të Trumpit. Memorandumi i tij mbetet ende i debatueshëm mes juristëve.
“’Arrat’ më të forta për t’u çarë për prokurorët do të jenë argumentet e Maduros se ai gëzon një formë imuniteti,” tha Vladeck, “qoftë sepse ishte ‘kryetar shteti’ i Venezuelës, qoftë sepse, edhe nëse nuk ishte, veprat e dyshuara burojnë nga akte zyrtare të kryera me autoritet shtetëror.”
Në rastin Noriega, gjykatat iu nënshtruan vendimit të degës ekzekutive se ai nuk kishte të drejtë imuniteti dhe theksuan “natyrën qartësisht të paligjshme të veprimeve të pretenduara”. Megjithatë, ai rast kishte një dallim të rëndësishëm: Departamenti i Shtetit nuk e njihte Noriegën si kreun e Panamasë.
Nëse gjykatat do ta rishqyrtojnë këtë precedent për shkak të statusit të Maduros si president, mbetet për t’u parë, edhe pse Departamenti i Drejtësisë e përshkroi atë në aktakuzën e hapur të shtunën si “sundimtar de facto, por i paligjshëm” i Venezuelës.
Në fund, “ndjekja penale nuk do të jetë aspak një fitore e sigurt,” përfundon Vladeck, “sidomos sa i përket akuzave ndaj vetë Maduros.”/abcnews.al


