Pas dy vitesh në Paris Lionel Messi po bëhet gati për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas raportimeve të fundit, 35-vjeçari argjentinas ka rënë dakord me Inter Miami të David Beckham për një kontratë dyvjeçare.
Pavarësisht se Barcelona bëri gjithçka për ta rikthyer në Camp Nou, në fund ai preferoi MLS.
Madje, në të kaluarën Messi ka përmendur dashurinë e tij për SHBA-në dhe mënyrën e jetesës së vendit, duke lënë të hapur mundësinë që në një moment në të ardhmen të garojë në anën tjetër të Atlantikut.
Në veçanti, në dhjetor 2020, pak muaj para largimit nga Barcelona, argjentinasi foli për mediat spanjolle, “LaSexta”, duke përmendur veçanërisht SHBA-në, por edhe të ardhmen e tij pas përfundimit të karrierës së tij të madhe.
“Gjithmonë kam pasur iluzionin se mund të shijoja dhe të jetoja përvojën e të jetuarit në Shtetet e Bashkuara. Për të përjetuar atë që është MLS, për të përjetuar jetën atje. Nuk e di nëse do të ndodhë apo jo në të ardhmen”, tha ai. /G.D abcnews.al/