Donald Trump mbajti të martën fjalimin para Kongresit mbi gjendjen e vendit. Ai tha se nëse nuk do të rizgjidhej sërish President, Shtetet e Bashkuara do të jenë në luftë me Korenë e Veriut. Mirëpo gazetarëve u ka bërë përshtypje një pjesë e fjalisë që Trump nuk e lexoi në momentin e fundit.
Ai po tregonte disa detaje të reja nga takimi tjetër që pritet të mbajë me liderin e Koresë së Veriut.
“Nëse nuk do të zgjidhesha President i Shteteve të Bashkuara, do të ishim që tani, sipas mendimit tim, në luftë të madhe me Korenë e Veiut. Shumë punë mbetet për t’u bërë, por marrëdhënia ime me Kim Jong Un është e mirë. Kim dhe unë do të takohemi sërish më 27 dhe 28 Shkurt në Vietnam”, tha Trump.
Por versioni origjinal i fjalimit, i cili i ishte shpërndarë gazetarëve përpara, kishte edhe një fjali tjetër që u hoq nga vetë Trump.
“Nëse nuk do të zgjidhesha President i Shteteve të Bashkuara, do të ishim që tani, sipas mendimit tim, në luftë të madhe me Korenë e Veriut me miliona njerëz që mund të kishin vdekur”, lexonte aty.
Donald Trump dhe Kim Jong Un u takuan fillimisht më 12 Qershor në Singapor. Qëllimi i Shteteve të Bashkuara është të bindin Korenë e Veriut që të heqin dorë nga programi bërthamor. Vietnami është zgjedhur si vendi ku dy liderët të takohen pasi edhe Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut kanë marrëdhënie të mira me vendin komunist./abcnews.al