Çfarë fiton dhe çfarë jep Shqipëria me projektin e Portit të Durrësit, ja si ju përgjigj Balluku akuzave të opozitës

schedule12:12 - 25 Nëntor, 2022

schedule 12:12 - 25 Nëntor, 2022

Kuvendi i Shqipërisë ka dhënë miratimin për zbatimin e projektit për ndërtimin e portit të ri të Durrësit. Pas rreth 14 orë debatesh, akuzash e kundër akuza, deputetët i hapën rrugë zbatimit të një prej projekteve, që sipas Qeverisë Shqiptare, do të jetë më i madhi në rajon dhe me një impakt të rëndësishëm në ekonominë e vendit, por jo vetëm.

Belinda Balluku, zëvendëskryeministre, njëherësh edhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, u përballë më shpesh në debat me deputetët e opozitës dhe akuzat e tyre duke ju referuar shifrave dhe detajeve të këtij projekti.

Shteti shqiptar do të jetë aksioner me 33% në këtë projekt, për të cilin Balluku garantoi se do të jetë i hapur për t’u vizituar nga të gjithë, shqiptarë dhe të huaj. 12 mijë vende të reja pune dhe të ardhura të rëndësishme në buxhetin e shtetit, renditi më tej zëvendëskryeministrja duke ju referuar efekteve ekonomike të kësaj vepre.

“Për të kuptuar qartë se çfarë jep dhe çfarë merr Shqipëria në portin turistik të Durrësit më duhet të sqaroj se në këtë projekt shteti shqiptar dhe përmes shtetit shqiptar, qytetarët e Durrësit dhe qytetarët e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, do të jenë aksionerë me 33%, vlera më e lartë në favor të shtetit në krahasim me të gjithë kontratat e nënshkruara nga ky shtet në këto 30 vite. Ky është investimi më i madh i këtij lloji në Shqipëri që i sjell ekonomisë së vendit, siç ju e dini një port turistik që i ka munguar bregdetit tonë. Një port elitar që do të kthehet në shembullin më të mirë për të gjithë zonën e Mesdheut. 12 mijë vende të reja pune. Mbi 1.3 miliardë euro të ardhura në buxhetin e shtetit në 20 vitet e ardhshme”, tha Balluku duke bërë të ditur gjithashtu se një investitor si Alabbar do të jetë tërheqës edhe investitorë të tjerë që të vijnë në vendin tonë.

Sipas Zv.Kryeministres, e cila është edhe një nga personat që e ka mbrojtur më fort këtë projekt, Porti i ri i Durrësit do të ketë një impakt të madh në zhvillimin e turizmit në vend, ndërsa qyteti i Durrësit do të ketë dy porte, një turistik dhe atë të mallrave, me kapacitete të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!