Çfarë e shkaktoi shpërthimin e Titan? SHBA nis hetimet

schedule10:15 - 26 Qershor, 2023

schedule 10:15 - 26 Qershor, 2023

Roja Bregdetare e SHBA- së njoftoi dje të dielën se po fillon një hetim për shkaqet e shkatërrimit të nëndetëses Titan, e cila rezultoi në vdekjen e pesë pasagjerëve të saj, teksa po shkonin për të parë rrënojat e Titanikut.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Byroja Kanadeze e Sigurisë së Transportit (BST) tha se kishte hapur një “hetim sigurie për incidentin fatal që përfshinte Polar Prince”.

“Qëllimi kryesor është të parandalojme një incident të ngjashëm duke bërë rekomandime të duhura për të përmirësuar sigurinë e sektorit detar në mbarë botën”, tha Jason Neubauer, kryehetuesi i Gardës Bregdetare të SHBA-së, përgjegjës për hetimin, gjatë një konference për shtyp nga Bostoni.

Ai shtoi se ka filluar grumbullimi paraprak i provave, kryesisht “mbeturinat nga vendi i ngjarjes”, ndërsa theksoi se roja bregdetare është në kontakt me familjet e pesë të vdekurve për mundësinë e gjetjes së trupave.

Pas hetimit të saj, Roja Bregdetare e SHBA-së, tha se “nëse gjykohet e nevojshme, mund të rekomandojë akuza penale”.

Titan, një nëndetëse rreth 6.5 metra, u zhyt më 18 qershor drejt rrënojave të Titanikut në Atlantikun e Veriut dhe sipas programot duhej të dilte në sipërfaqe shtatë orë më vonë. Por humbi kontaktin me anijen Polar Prince pas dy orësh.

Pesë pasagjerët e saj u vranë në shpërthimin që ndodhi në Titan, tha të enjten Roja Bregdetare e SHBA. Disa rrënoja u gjetën rreth 500 metra larg rrënojave të Titanikut, në një thellësi prej gati 4000 metrash. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!