Çfarë duhet të mësojnë biznesmenët nga lufta e dështuar e Putinit

schedule09:47 - 31 Gusht, 2022

schedule 09:47 - 31 Gusht, 2022

Nga Bryce Hoffman, Forbes

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Një nga mendimtarët më të mëdhenj strategjikë të Britanisë, Lawrence Freedman, bëri një analizë rreth pushtimit rus të Ukrainës, me titullin” Pse po dështon lufta”.

Me po aq saktësi sa analiza mund të ishte titulluar “Pse po dështojnë bizneset”.

Freedman, Profesor i Studimeve të Luftës në King’s College në Londër, tha se udhëheqësit e lartë ushtarakë nuk janë aq të ndryshëm nga liderët në çdo mjedis, përfshirë biznesin. Dhe si liderët në çdo mjedis tjetër, mënyra se si ata udhëheqin mund të ketë një ndikim të madh në suksesin ose dështimin e ndërmarrjes së tyre.

Mos udhëheq si diktator

“Diktatorët sigurisht që mund të marrin vendime të guximshme për luftën, por këto kanë shumë më tepër gjasa të bazohen në supozimet e tyre, shkruan Freedman.

“Diktatorët priren të rrethohen nga këshilltarë që kanë të njejtin mendim dhe të vlerësojnë besnikërinë mbi kompetencën.”

E njëjta gjë mund të thuhet për udhëheqësit autokratikë të biznesit. Dhe qoftë në sallën e këshillit apo në fushën e betejës, ky dështim për të sfiduar supozimet e tyre dhe për të inkurajuar një debat të shëndetshëm shumë shpesh çon në marrjen e vendimeve të këqija – vendime që, pasi të merren, është e vështirë të zhbëhen, raporton abcnews.al.

Freedman tha kjo i vë oficerët në terren, ekuivalenti ushtarak i menaxherëve të mesëm, në një pozitë të vështirë. Ndonjëherë urdhrat janë të papërshtatshëm dhe për këtë arsye mund të injorohen edhe nga oficeri më i zellshëm në terren.

Në raste të tjera, urdhërat e tyre mund të zbatohen por mund të mos jetë veprim i zgjuar, ndoshta sepse ekziston një mënyrë më e mirë për të arritur të njëjtat objektiva. Përballë urdhrave që nuk i pëlqejnë ose nuk i besojnë, vartësit mund të kërkojnë alternativa ndaj mosbindjes së plotë.

Ata mund të ndjekin urdhrat por jo të motivuar ose t’i interpretojnë ato në një mënyrë që përshtatet më mirë me situatën me të cilën përballen.

Ushtritë perëndimore janë përpjekur ta trajtojnë këtë gjë duke e çuar vendimmarrjen në shkallën më të ulët të mundshme – një praktikë që quhet ndryshe si “komandë misioni” ose “ Auftragstaktik”.

Inkurajoni vendimmarrjen

“Perëndimi ka kërkuar gjithnjë e më shumë të inkurajojë vartësit që të marrin iniciativën për t’u marrë me rrethanat në fjalë; komandantët u besojnë atyre  për të marrë vendimet jetike, por janë gati të ndërhyjnë nëse ngjarjet shkojnë keq. Kjo është qasja që forcat ukrainase kanë adoptuar, “sipas Freedman.

“Filozofia e Rusisë është më hierarkike. Në parim, doktrina ruse lejon iniciativën lokale, por strukturat komanduese në vend nuk i inkurajojnë vartësit të rrezikojnë të mos iu binden urdhrave të tyre.

Apo edhe duke i marrë në pyetje. Ai beson se bëhet fjalë për qasjen autokratike e Putinit ndaj lidershipit, gjë që e bën shumë të rrezikshme për liderët e nivelit më të ulët të flasin, e lëre më të mendojnë vetë.

“Në sistemet autokratike si ai i Rusisë, zyrtarët dhe oficerët duhet të mendohen dy herë përpara se të sfidojnë eprorët,” tha Freedman. “Jeta është më e lehtë kur ata veprojnë sipas dëshirave të liderit pa diskutim.”

Tingëllon e njohur?

Nëse punoni ose keni punuar për një korporatë të madhe, mendoj se po. Shumica e kompanive të mëdha funksionojnë në të njëjtën mënyrë, edhe kur nuk e duan.  Dhe ky është një problem i madh – jo vetëm për punonjësit, por edhe për aksionarët.

“Vlera e autoritetit të deleguar dhe iniciativës lokale do të jetë një nga mësimet e tjera kyçe nga kjo luftë,” përfundon Freedman, duke shtuar se kjo mund të arrihet vetëm kur plotësohen disa kushte.

“Duhet të ketë besim të ndërsjellë ndërmjet atyre të nivelit të lartë dhe atij më të ri. Ata në nivelin më të lartë të komandës duhet të kenë besim se vartësit e tyre kanë inteligjencën dhe aftësinë për të bërë gjënë e duhur në rrethana kërkuese, ndërsa vartësit e tyre duhet të kenë besim se komanda e lartë do të ofrojë mbështetjen që kanë nevojë,”raporton abcnews.al.

Udhëheqja efektive, pra, është një rrugë e dyanshme. Udhëheqësit e lartë duhet të sigurojnë që ata të kenë aftësinë njohëse për të marrë vendime të mira, në mënyrë që të kenë besimin për t’u besuar atyre autoritetin vendimmarrës.

Ata udhëheqës të vijës së parë duhet t’u bëjnë të ditur atyre që janë në krye të vendit se çfarë po ndodh në të vërtetë, në mënyrë që të marrin mbështetjen që u nevojitet për t’u përshtatur me situatën në terren.

Kjo është e vërtetë në kompani dhe në zonën e luftimit.

/abcnews.al