Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në emisionin Log., në “ABC” foli për mësuesit të cilët refuzuan të merrnin doza të vaksinës anti-Covid.
Ajo u shpreh se procesi i vaksinimit do të vijojë edhe për këta arsimtarë, derisa të vaksinohet edhe mësuesi i fundit.
“Ne kemi vaksinuar më shumë 6 mijë mësues dhe në total kemi 36 mijë mësues në sistemin publik dhe jopublik. Kemi kapacitet të mjaftueshme dhe të bollshme. Ata që nuk e kanë bërë do t’i presim deri sa të vaksinohet edhe mësuesi i fundit”, u shpreh Manastirliu.
Lexo edhe: “Sa është blerë AstraZeneca dhe Pfizer?” Manastirliu: Të vaksinojmë që të ndërpresim zinxhirin
Ndërsa personat që kanë dërguar formular për të mos aplikuar vaksinën, por që tashmë me vendimin e EMA e cila konfirmoi efikasitetin dhe sigurinë e AstraZeneca, ndoshta do të mund të duan të marrin këtë vaksinë, Manastirliu tha se tek formularët janë të vendosura të gjitha të dhënat të cilat janë standarde në të gjithë botën dhe se nuk do të ndryshojë asgjë.
“Për të gjitha ata që kryejnë vaksinimin dhe për mësuesit ka një formular që bën verifikimin e gjendjes shëndetësore të të gjithë atyre që duan të bëjnë vaksinës. Ka gjithashtu të dhëna të vaksinës që t’i bën. Formularët janë standard, të gjitha të dhënat janë të vendosura njësoj, në të gjithë botën është njësoj dhe ne nuk dalim ndryshe nga bota”, u shpreh ajo.
Por nëse një mësues sërish nuk bindet që të marrë doza të AstraZeneca, edhe pas vendimit të EMA për efikasitetin e saj, ministrja e Shëndetësisë këshilloi vaksinimin masiv, sepse mbetet arma e vetme me të cilën mund të luftohet kjo sëmundje e rëndë.
“Sfida e vaksinimit është që të gjitha popullata të pranojë vaksinimin me vaksina që janë të sigurta. Unë besoj që asnjë botë mund të ketë luksin të zgjedhë, ne duhet të vaksinohemi. Ai që heziton ka një protokoll të caktuar, mjekë të familjes, ekspertë të shëndetit publik të cilët e shqyrtojnë situatë, por të jeni të sigurt se do të ketë një zgjidhje. Këtë proces e kam ndjekur me imtësi dhe jam shumë e informuar se ka vijuar. Fakti që kemi vaksinuar më shumë se 6 mijë arsimtarë tregon që ata e kanë pranuar”, tha më tej ajo.
Më tej ajo shtoi se frika është krijuar nga dezinformimet që sipas saj kanë ardhur nga njerëz, politikanë si edhe doktorë të papërgjegjshëm që kanë hedhur vetëm tymnajë në këtë sfidë.
“Ne si qeveri jemi të vendosur të ndjekim shkencën dhe ekspertët, siç kemi bërë gjatë gjithë këtij viti dhe kjo ka treguar se kemi qenë në rrugën e duhur”, tha ministrja.
/abcnews.al/