Nga Rana Mitter “Foreign Affairs”
A dëshiron Kina t`a transformojë rendin global, për të çuar përpara interesat e saj, dhe për
t`a formësuar botën sipas imazhit të saj? Shumë analistë perëndimorë shohin sot një Luftë të Re të Ftohtë në rritje me Kinën, që shërben si një version i Bashkimit Sovjetik të shekullit XXI.
Por, projeksione të tilla janë tepër të ngurta dhe jo gjithëpërfshirëse, për të përshkruar në mënyrë të dobishme kompleksitetin e ngritjes së Kinës. Sot fuqia kineze është një forcë dinamike e formuar nga lidhja e autoritarizmit, konsumizmit, ambicjeve globale, dhe teknologjisë.
Partia Komuniste Kineze (PKK) dëshiron të forcojë kontrollin e saj mbi shoqërinë kineze, të inkurajojë konsumerizmin brenda dhe jashtë vendit, të zgjerojë ndikimin e saj global dhe të zhvillojë dhe eksportojë teknologjinë e përparuar të Kinës.
Që nga kriza financiare globale e vitit 2008, udhëheqësit e Kinës e kanë prezantuar në mënyrë të qartë sistemin e tyre autoritar të qeverisjes si një qëllim në vetvete, dhe jo si një gur themeli drejt një shteti liberal. PKK këmbëngul se është një meritokraci:shoqëria kineze përfiton më shumë nga udhëheqësit efektivë të partisë, sesa me pjesëmarrjen popullore në zgjedhjen e tyre.
Të paktën, në terma afatshkurtër kriza e Covid -19 e ka rritur autoritarizmin në vend. Por udhëheqësit kinezë nuk duan thjesht konsolidimin e sundimit të tyre në vend. Ambiciet e tyre janë globale. Dhe kjo nuk është diçka e re. Si lideri nacionalist Chiang Kai-shek, dhe homologu i tij komunist Mao Ce Dun, kishin përkatësisht në vitet 1940 dhe 1960vizione të rolit kryesor ndërkombëtar që duhej të luante vendi i tyre.
Por Kina e Xi Jing Ping, po kombinon ambiciet ndërkombëtare me fuqinë ekonomike, ushtarake dhe teknologjike, për të arritur një shtrirje vërtetë globale të ndikimit, nga objektet portuale në Athinë, tek një bazë detare në Xhibuti të Afrikës,dhe deri në përhapjen e teknologjisë 5G në të gjithë botën.
Për t’u ngjitur në majë, që nga viti 1978, Partia Komuniste e Kinës ka punuar për të adresuar një nga defektet më të dukshme të Bashkimit Sovjetik:dështimin për t’iu përgjigjur nevojave dhe dëshirave të konsumatorëve vendas. Revolucioni i Kinës, është bërë një revolucion i konsumatorit në 4 dekadat e fundit.
Ai ka ndërtuar një shoqëri gjithnjë e më shumë pa para, ku blerja në internet frymëzon platforma të tregtisë elektronike si Alibaba. Standardet në rritje të jetesës, kanë nxitur pritshmërinë se PKK do të vazhdojë të mbajë premtimet e saj ekonomike.
Nga zhvillimi në rritje i Kinës, kanë përfituar edhe vendet perëndimore dhe ato aziatike, që kanë mirëpritur miliona blerës kinezë të mallrave luksoze, shërbimeve turistike dhe arsimit të lartë. Në fushën e teknologjisë, Kina ka marrë një drejtim të ri në angazhimin e saj global. Kombinimi i rritjes ekonomike dhe i shpenzimeve të mëdha për kërkime në 2 dekadat e fundit, ka krijuar një nga mjediset më inovative në tokë.
Teknologjitë e reja të zhvilluara kineze, forcojnë ushtrinë e vendit dhe prodhojnë mallra të reja për konsumatorët, në kohë që kontribuojnë gjithashtu në krijimin e një shteti të mbikëqyrjes së të dhënave të mëdha.
Po cilat janë qëllimet legjitime të Kinës në rajonin e saj dhe në botën e gjerë? Kina është
një shtet i madh dhe i fuqishëm që ka ekonominë e dytë më të madhe në botë. Një shtet i këtyre përmasave,nuk mund të pritet të marrë pjesë në rendin global vetëm sipas kushteve që i diktojnë rivalët.
Kritika ndaj kompanisë Huawei mund të jenë të justifikuar. Por teknologjia kineze 5G
është tërheqëse për shumë vende, pasi nuk ka asnjë alternativë të dukshme perëndimore. Gjithashtu, është me vend të kritikohet Kina për zgjerimin e ndikimit të saj në OKB, në mënyra që e degradojnë rëndësinë e të drejtave individuale të njeriut,
Për momentin, Pekini po e dëmton veten duke reaguar ashpër ndaj çdo kritike mbi politikën e saj të brendshme dhe të jashtme. Ajo mund të bëjë diçka më kreative, sesa vetëm të ankohet për përbuzjen e Perëndimit. Kina mund të shfrytëzojë historinë e saj të fundit të rishpikjes së vetvetes.
Kur nën udhëheqjen e Maos u bë e varfër ekonomikisht dhe politikisht, në vitet 1980, pasardhësi i Mao, Deng Xiaoping, përshtati një ide nga ish-kryeministri Zhou Enlai të quajtur “Katër Modernizimet” (e bujqësisë, industrisë, mbrojtjes, shkencës dhe teknologjisë) për të riformuar vendin.
Deng i lejoi fermerët të shisnin në tregun e lirë pjesë të të korrave të tyre, u dha studiuesve liritë akademike që ishin zhdukur nën sundimin e Maos, dhe ngriti “zona të veçanta ekonomike”, teksa e reformoi qeverisjen dhe ligjet për të sjellë në vend investime te huaja.
Pra,ashtu si Deng, Kinës do t’i duhet të ri-kalibrojë qasjet e saj në dekadën e ardhshme.
Pengesa më e madhe që do të hasë Kina nuk është armiqësia e Shteteve të Bashkuara,apo e kundërshtarëve të tjerë. Përkundrazi, është kthesa autoritare e vetë Kinës.
Qasja gjithnjë e më agresive në politikës së jashtme që nga fillimi i vitit 2020, nuk paralajmëron asgjë të mirë. Por nuk është e pamundur të imagjinohet një version më pak antagonist i autoritarizmit kinez. Sigurisht, mund të mos ketë asnjë shans që PKK të kthehet në një parti demokratike liberale.
Por kjo s’do të thotë se ajo nuk mund t’i kthehet trajektores së mëparshme, të dekadës së parë të këtij shekulli që ishte paksa më liberale. Elementët kryesorë të përzierjes ideologjike të Kinës – Marksizëm-Leninizmi, mendimi tradicional, analogjia historike dhe suksesi ekonomik – kanë eklipsuar fuqinë gjithnjë të kufizuar të liberalizmit Perëndimor për të ndikuar tek mënyra se si e sheh botën Partia Komuniste Kineze.
Por, e ardhmja globale e Kinës varet nga mënyra se si ajo mund të ri-kombinojë me sukses aspektet e tjera të modelit të saj unik. Për momentin, autoritarizmi kinez kërcënon të kufizojë aftësinë e Pekinit për të krijuar një formë të re bindëse të rendit global.
Marrë me shkurtime
Shënim:Rana Mitter, është profesore e historisë dhe politikës së Kinës në Universitetin e Oksfordit. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al