Në maj, ish-presidenti Donald Trump u shpall fajtor për 34 akuza lidhur me falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mos lejuar bërjen publike të informacioneve që mund të dëmtonin shanset e tij në zgjedhjet e vitit 2016.
Shpallja e dënimit u shty deri pas zgjedhjeve, por siç njofton korrespondentja e zërit të Amerikës Tina Trinh, tani që ai është president i zgjedhur, ajo që ndodh më pas është më pak e qartë.
A do të dënohet Presidenti i zgjedhur Donald Trump për krimet e tij? Është një pyetje që mbetet pa përgjigje, ndërsa gjykatësi në Nju Jork, Juan Merchan, konsideron rrethanat e jashtëzakonshme kur një ish-president amerikan, i shpallur fajtor për vepra penale, është gjithashtu edhe presidenti i ardhshëm.
Në maj, Trump u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur pagesat ndaj ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për të parandaluar bërjen publike të një skandali seksual përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Dhënia e dënimit për të është shtyrë disa herë dhe fitorja e tij në zgjedhje në fillim të këtij muaji krijon paqartësi të mëtejshme mbi procedurat ligjore.
“Thelbi është të zbulohet se ç’do të ndodhë me dënimin për zotin Trump: A do të jepet përpara se ai të marrë detyrën, pasi të marrë detyrën, apo nëse çështja e tij do të mbyllet tërësisht”, thotë Prof. Anna Cominsky e Universitetit Juridik të Nju Jorkut.