Çështja Epstein, drejtësia amerikane kërkon të marrë në pyetje princin Andrew të MB

schedule15:52 - 9 Qershor, 2020

schedule 15:52 - 9 Qershor, 2020

Departamenti amerikan i drejtësisë, kërkoi zyrtarisht që të marrë në pyetje princin Andrew për çështjen e Jeffrey Epstein, miliarderit amerikan i cili u vetëvra në një burg në New York verën e kaluar teksa priste gjyqin me akuzën e abuzimeve seksuale dhe krime të tjera.

Kërkesa është dorëzuar në ministrinë e brendshme britanike. Nëse princi Andrew do të refuzojë të bashkëpunojë vullnetarisht, mund të thërritet nga një gjykatë në Londër për t’iu përgjigjur pyetjeve të drejtësisë amerikane.

Përgjithësisht një procedurë e tillë kryhet në fshehtësi të plotë, dhe qeveria britanike as mund të pohojë e as mohojë se ka marrë një kërkesë të tillë. Sipas BBC avokatët e princit janë shumë të zemëruar për lajmin e publikuar në mediat britanike duke e konsideruar si një shkelje të rëndë të privatësisë.

Në një intervistë të dhënë për BBC në nëntor të 2019-ës, fëmija i tretë i mbretëreshës Elizabeth deklaroi se nuk ishte penduar aspak për miqësinë e tij me Epstein, mohoi akuzat se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Virginia Giuffre një skllave seksi, që e kishte njohur nga Epstein, e cila në atë kohë ishte minorene.

Andrew gjithashtu u shpreh se ishte i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë amerikane dhe pse këmbëngulte se nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në ndonjë sjellje të paligjshme të miliarderit pedofil në qendër të skandalit. Por në janar të këtij viti prokurori amerikan që drejton çështjen kritikoi princin britanik duke thënë se ai nuk kishte bashkëpunuar aspak me hetuesit.

Tashmë pas publikimit të lajmit, Andrew nëpërmjet avokatëve të tij pretendon se ai vetë është përpjekur tre herë të bashkëpunojë për çështjen dhe të ndihmojë në hetime.

Si pasojë e skandalit të akuzave kundër Andrew, mbretëresha e detyroi të braktisë për një kohë të pacaktuar rolin e tij si anëtar i familjes mbretërore. Ditët e fundit u publikua lajmi se princi Charles ka pranuar të paguajë 300 mijë stërlina në vit për mbrojtjen e vëllait të tij./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!