Çështja e targave, Kurti: Qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive

schedule12:04 - 18 Nëntor, 2022

schedule 12:04 - 18 Nëntor, 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave.

Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.

Ai i ka bërë këto deklarata në Estoni, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren estoneze, Kaja Kallas.

“Janë 9 mijë vetura me targa ilegale serbe. Kjo është më pak se 10 për qind e veturave që i kanë serbët në Kosovë, kështu që është një pakice ekstreme e serbëve që janë duke refuzuar këto targa. Kemi pasur një dallim në qasje dhe sekuencim të zbatimit, duke nisur vetëm me qortim”.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto makina qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Kurti ka thënë se Beogradi ka urdhëruar të gjithë serbët në veri të Kosovës që të japin dorëheqje, por ai edhe një herë ka bërë thirrje kundër një veprimi të tillë.

“Jemi duke bërë çmos për të ruajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë, dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive, dhe në ditët në vijim do të shohim sa do të jemi të suksesshëm në këto negociata të reja”.

Ai ka përsëritur po ashtu që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje gjithpërfshirëse, me njohjen reciproke në qendër.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” dhe situatën aktuale të krijuar për targat e ka konsideruar si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!