“Sot në konferencë për shtyp do të dalë trajneri Reja dhe kapiteni Etrit Berisha”, ky ishte njoftimi i FSHF disa orë para konferencës për shtypin në prag të ndeshjes me Kosovën, ndërkohë që shumëkush është habitur mbi kapitenin.
Elseid Hysaj ka qenë ai që ka mbajtur shiritin e kapitenit në të shkuarën, ndërkohë që në ndeshjet e tetorit mungoi. Mungesa për dënim nuk u pranua nga trajneri Reja, kurse sot trajneri u kap befasisht nga portieri Berisha, i cili e pyeti në lidhje me çështjen e shiritit.
Vetë FSHF e kishte “Live” konferencën dhe biseda mes tyre në italisht dëgjohej lehtësisht nga të gjitha, pasi mikrofonat ishin hapur dhe për të mos mjaftuar kjo, gjithçka po regjistrohej dhe po transmetohej. Më poshtë ju sjellim dialogun mes Rejës dhe Berishës.
Berisha: “Ke folur me Hysajn?”
Reja: Me kë?
Berisha: Ke folur me Hysajn për çështjen e kapitenit?
Reja: I kam thënë gjithmonë se ti je kapiteni. Kur… Pse?
Berisha: Po, sepse ta dijë dhe ai… Që të mos kemi paqartësi… Flasim më vonë! /abcnews.al