Ceremonia e diplomimit në Universitetin Mesdhetar të Tiranës, Veliaj: Mirënjohje kujtdo që investon në dije

schedule16:33 - 19 Shtator, 2022

schedule 16:33 - 19 Shtator, 2022

Kryebashkiaku Erion Veliaj mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Mesdhetar të Tiranës, të cilët i përgëzoi për këtë arritje në jetën e tyre dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që investojnë në dije. Veliaj tha se ky ishte viti i Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë, kushtuar gjeneratës së të rinjve shqiptarë me mbi një mijë aktivitete.

“Sot gëzohem bashkë me ju sepse kam fituar kolegë të rinj, që do e bëjnë Tiranën më të mirë. Ka njerëz që thonë se kush ka është më i fortë. Por, në fakt, më i fortë është ai që di. Ndaj, besoj se keni bërë investimin më të rëndësishëm, për të marrë dije”, iu drejtua Veliaj studentëve.

Sipas  tij, viti 2022 ka qenë një vit i suksesshëm për Tiranën, kushtuar rinisë. Veliaj vlerësoi faktin se për herë të pare, universiteti do pasurohet edhe me degët e reja të teknologjisë së informacionit.

“Teknologjia e informacionit na i ka bërë ca gjëra më të lehta, por ca gjëra edhe më të vështira. Na ka lehtësuar faktin se lejet dhe licencat i japim online, taksat i procesojmë online, parkimin e bëjmë online, ama nëse Shqipëria hyn në një konflikt, siç ka qenë konflikti i fundit me Iranin, do të thotë se jemi dixhitalisht të ekspozuar ndaj botës, sepse kemi dhënë akses edhe për efekt të transparencës. Kjo na bën të kuptojmë se kemi shumë nevojë për zanate të tilla”, tha ai.

Veliaj veçoi festivalin ‘Digital Nomad’, një ngjarje 3 ditore, që mblodhi në Tiranë ekspertë digjitalë nga e gjithë bota, si shembull që duhet ndjekur edhe të rinjtë tanë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!