Ky duket se do të jetë një vit i mirë për Albanin ndryshe nga viti i shkuar. Bletërritësi nga Shëngjergji një fshat rreth 40 kilometra larg Tiranës pret të marrë të paktën shtatë kilogram mjaltë nga një koshere.
“Bletët duken të mbara, nuk do të dalim bosh si vitin e kaluar. Nuk morëm mjaltë fare, kemi marrë 2 kg për koshere, këtë vit them të marrim 8 kg për koshere, 7 për koshere. Kemi dalë me humbje se nuk ka pas prodhim mjalti, kanë ndikuar kushtet atmosferike, reshjet e shiut e dëmtojnë kullotën”, ka thënë ai.
Bletët gumëzhijnë. Gjithnjë gati për të mbrojtur koloninë e tyre. Albani po bën gati depot e mjaltit.
“Kësaj i kemi vendosur katin. Këtu futet mjalti. Mjalti fillon pas 20 majit, duhet të jetë temperaturë mbi 20 gradë që të ketë nektar”, u shpreh më tej bletërritësi.
Gjithçka ja ka mësuar përvoja. Merret me këtë punë prej 25 vitesh. E nisi me një koshere dhe tashmë ka rreth 400 të tilla.
“Unë e kam mësuar nga babai, në vitet 80 kemi pas afro 10 koshere blete. Në vitin 2000 kapa koshere të roitur, nga viti 2000 deri më sot kam bërë 400 koshere vetëm me një të roitur, atë kosheren e kapa me një pemë duke shkuar me blegtori. Kërkesa mjaltit filloi të shtohej e lamë bujqësinë dhe u morëm vetëm me bletari”, tha Hysa.
Nuk e ka të vështirë të gjej treg për mjaltin, por jo çdo vit është i mbarë për prodhimin e tij e në kohë të tilla shpenzimet shtohen.
Për ti përballuar Albani prej tre vitesh përfiton ndihmë financiare nga buxheti I shtetit si pjesë e skemës kombëtare të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
“Mbështetje nga shteti kemi 3 vjet që marrim 10 mijë lekë për koshere…”
Në maj nektari është i bollshëm, bletët përgatiten për ta grumbulluar. Në këtë zonë ushqim për to është gështenja, akacia, tërfili e trumëza.
“Këtu është mjaltë i përzier, mjaltë akacie, tani fillon akacia, tërfili, gështenja fillojnë thuajse në një sezon”, theksoi Hysa.
Mjaltin nis ta mbledhë në korrik.
“Vetëm një herë i vjelim bletët. Mjaltin e marrim me 20 korrik vjelim një javë. Se kemi të garantuar sa do prodhojmë, varen nga kushtet klimatike. Mjalti është thuajse i shit, sezon pas sezoni na merr klientela. Nuk e kemi problem për shitjen e mjaltit. Klientela më ka gjet mua, jo se e kam gjet unë atë”, tha më tej bletërritësi Hysa.
Ashtu si dhe i ati që ia trashëgoi atij edhe Albani bletarinë po ja trashëgon të birit, por tashmë jo vetëm si një pasion, por si një punë për të kontribuar në ekonominë familjare.
/abcnews.al.