Çelja e aplikimeve për projektet e Mbrojtjes Civile, ministri Vëngu takim me drejtuesit vendorë në Shkodër

schedule17:11 - 28 Tetor, 2024

schedule 17:11 - 28 Tetor, 2024

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte në Shkodër ku është takuar me drejtues vendor të të gjithë qarkut në kuadër të turit informues me bashkitë e vendit, pas çeljes së aplikimeve për paraqitjen e projekteve nga njësitë vendore në kuadër të Mbrojtjes Civile.

Në takimin, ku morën pjesë drejtues të 5 bashkive të Qarkut dhe Prefektja Majlinda Angoni, ministri Vengu vlerësoi këtë mundësi që i ofrohet bashkive për të përfituar për fonde në mënyrë direkte për emergjencat civile..

“Synimi është që secila bashki të ketë një produkt nga kjo thirrje. Pra asnjëra të mos mbetet e patrajtuar, qoftë në këndvështrimin e një projekti infrastrukturor, qoftë të një dige, qoftë të mjeteve, duke ditur që është një përpjekje financimi e konsiderueshme. Nuk ka qenë kurrë tavani buxhetor kaq i lartë për emergjencat civile sa ç’e parashikojmë në 2025. Konsiderojeni paketën e Emergjencave Civile si mundësi për të trajtuar gjëra që nuk i trajtoni dot me instrumente të tjerë”.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka treguar edhe disa prej risive të kësaj thirrje.

“Një nga risitë e këtyre thirrjeve është pikërisht përcjellja e projekteve për investime infrastrukturore në kuadër të Mbrojtjes Civile edhe për ura “baily”. Është një procedurë që do të vijojë të jetë pjesë e thirrjes dhe Ministria e Mbrojtjes do të marrë në konsideratë projektet që ju do të aplikoni edhe për efektin e emergjencave drejtpërsëdrejti”

Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, në fjalën e tij u ndal tek nevoja e ndërhyrjeve që duhet të bëjnë vetë bashkitë siç është rasti i pastrimit të kanaleve kulluese apo edhe ndërhyrja që ka nisur një ditë më parë bashkia Shkodër në lirimin e hapësirave të zëna nga kolektorët që kanë një impact të drejtëpërdrejtë tek banorët.

“Sigurisht gjatë gjithë kohës kemi punuar shumë me hapjen e kanaleve kulluese, me hapjen dhe sistemimin e disa digave të vogla, të bëra nga bashkia, brenda mundësive tona. Kemi filluar me hapjen e kolektorëve, të cilët e kanë kthyer shpeshherë edhe një shi normal ose të rrëmbyeshëm, në një ngjarje të rëndë për qytetin”.

Katër fushat, në të cilat Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon bashkive në të gjithë vendin që të paraqesin projektet e tyre janë: Investimet në infrastrukturë, blerja e automjeteve për përdorim të veçantë, makineri teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta, të përcaktuara si të tilla sipas parashikimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, rehabilitimin e digave dhe ndërtimi i urave Bailey./abcnews.al