Celibashi për ABC: Pilotimi jo i detyrueshëm, partitë të dakordësohen

schedule16:55 - 12 Janar, 2021

schedule 16:55 - 12 Janar, 2021

Nga Esiona Konomi

Ilirjan Celibashi nuk dëshiron të marrë një vendim se në cilin qark do të testohet votimi dhe numërimi elektronik. Palët janë dakord për qarkun Korçë, por ndahen për qarkun e dytë, ku opozita kërkon Fierin dhe mazhoranca propozon Tiranën.

“Dua të jem realist që në përfundim të zgjedhjeve të gjithë gishtin do ta drejtojnë nga KQZ. Partitë politike kanë të gjitha mundësitë të dakordësohen se kur ky projekt do të realizohet”, u shpreh Celibashi.

Kryekomisioneri vlerëson se ky projekt pilot nuk është i detyrueshëm.

“Është projekt pilot. Ajo që e imponon KQZ për ta realizuar është identifikimi biometrik. Pjesa tjetër nuk është detyrueshme. Megjithatë të presim”, deklaroi ai.

KQZ ende nuk ka vendosur nëse Smartmatic, e vetmja kompani në garë për identifikimin elektronik të votuesve, do të pranohet apo jo.

“Punë ditësh. Jemi duke shkëmbyer komunikime dhe informacione me kompaninë. Nëse nuk do të harrojmë të kemi një marrëveshje me këtë kompani, do të jetë e vështirë thuajse e pamundur të rifillojmë një procedurë të re sepse nuk ka kohë”, deklaroi kreu i KQZ.

Ilirjan Celibashi shpjegon për ABC se pse Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile e ndryshoi shifrën e emigrantëve të regjistruar.

“Janë rreth 1 mijë emigrantë që e kanë deklaruar vendbanimin e tyre jashtë territorit të Shqipërisë. Në atë numër 32 mijë ishin përfshirë edhe qytetarë të huaj që e kanë deklaruar vendbanimin në Shqipëri”, tha ai.

Megjithëkëtë, Celibashi deklaron se procesi nuk do të ndërpritet, pavarësisht se sa do të jetë në fund numri i emigrantëve që do të fitojnë të drejtën e votës në distancë.

“Ligji nuk kërkon një minimum pjesëmarrje. Qoftë edhe një emigrant të votojë konsiderohet si një përmbushje e angazhimit të KQZ por pa dyshim por ne nuk po punojmë për t’i krijuar mundësinë një emigranti të vetëm të votojë atje ku e ka vendbanimin”, shtoi Celibashi.

Pavarësisht zgjidhjes teknike të dhënë nga KQZ, është politika ajo që do të vendosë nëse emigrantët do të votojnë apo jo në 25 prill.

“Jemi në limite dhe shpresojmë të muaji që vjen të jetë vendimtar, qoftë për zgjidhjet teknike që KQZ do të ofrojë dhe konsideratat që partitë politike të japin për këtë proces” përmbylli Celibashi.

Pavarësisht antagonizmit politik, Celibashi vlerëson se partitë po bashkëpunojnë me KQZ-në për procesin zgjedhor me shumë seriozitet duke krijuar një klimë të mirë./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!