Kastrioti pësoi humbje me 4 gola nga skuadra e Kukësit. Një humbje që “djeg” kjo te krutanët të cilët nuk arritën të marrin pikë që janë shumë të vlefshme për mbijetesën.
Trajneri Emiliano Çela ishte shumë i zhgënjyer për lojën që skuadra e tij zhvilloi përballë verilindorëve, ndërsa nuk nguroi të thoshte se djemtë e tij gabuan në këtë ndeshje, nga ku erdhën edhe golat nga kundërshtari.
“Gjithçka po shkonte shumë mirë deri në minutën e 40-të. Është normale të pësosh gol, por më pas vjen reagimi. Pashë nervozizëm, pashë disekuilibër dhe më pas morëm atë penallti. Aty u bënë gjërat më të vështirë te ne.
Nuk do ndikojë kjo humbje. Ne do i bëjmë hyzmetin ndeshjeve shtëpiake, por do kërkojmë të marrim pikë ndaj çdo ekipi. E kishim përgatitur mirë ndeshjen, ishim në ekuilibër, tentuam të mos linim Kukësin të vertikalizonte.
Deri në minutën e 40-të po luanim mirë, po bënim presing. Patjetër që duhet të luanim topin më shumë në zonën dy, por edhe në zonat e tjera. Në disa momente bëmë mirë, në disa momente gabuam.
U disekuilibruam pas pësimit të golit, filluam të bëjmë gjëra që nuk i kishim përgatitur. Kukësi luan mirë topin, na krijoi vështirësi në linjat qendrore. Patëm edhe mungesën e Nezirit në krahun e djathtë, improvizuam Kodrën aty. Do kishim probleme, pasi Kukësi është i fortë në krahun e majtë. Goli i parë i Kukësit ishte çështje episodi.
Unë mendoj që ndeshja fillon që në fillim të javës. Për këtë humbje mbaj përgjegjësi unë i pari, kam toleruar gjatë javës në disa gjëra që nuk duhet të toleroja. Lojtarët do e kuptojnë se ku dhe për çfarë gjërash e kam fjalën. Mbaj unë përgjegjësi, nuk e kishim përgatitur mirë ndeshjen nga ana psikologjike.
Disa lojtarë me eksperiencë duhet ta qetësonin ekipin pas pësimit të golit, duhet ta fusnin ekipin në ekuilibër. Është një luftë psikologjike që mundohem ta bëj me lojtarët.
Kishte disa ndeshje që nuk pësonim, por kur pësojmë gol është e rëndësishme që ekipi të futet sa më shpejt në ekuilibër. Kjo mundësi nuk na u dha sot, pasi goli i dytë u pësua shumë shpejt. Ishte e evitueshme ndërhyrja te penalltia.
Me këto ekipe do të luajë, do tentojmë rezultatin, nuk duhet të futemi në fushë si të vegjël, do të përmirësohemi te ky aspekt”, përfundoi Çela. /f.a/abcnews.al