Ç’do të ndodhë me përballjen e re të disidentit Alexei Navalny me Vladimir Putinin

schedule22:11 - 3 Prill, 2021

schedule 22:11 - 3 Prill, 2021

Nga Laura King, Los Angeles Times

Përballja e vjetër midis Kremlinit dhe Alexei Navalny, mori këtë javë një kthesë dramatike, teksa figura më e njohur e opozitës ruse, ka nisur një grevë urie për të kërkuar kujdesin e duhur mjekësor, dhe për të protestuar ndaj trajtimit të tij në burg.

Tani, aleatët e tij po shprehin hapur frikën se presidenti rus Vladimir Putin e dëshiron sërish të vdekur. Navalny, 44 vjeç, mezi i mbijetoi një helmimi 7 muaj më parë me një agjent nervor ushtarak, një sulm për të cilin qeveritë perëndimore fajësuan shërbimeve ruse të sigurisë. Tani Navalny po vuan një dënim 2-vjeçar në një burg famëkeq në lindje të Moskës, pasi u kthye në Rusi në janar nga Gjermania, ku kaloi disa muaj duke u kuruar pas helmimit.

Kremlini mohoi çdo lloj përgjegjësie mbi helmimin e Navalny, por çështja e tij ka përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tensionuara të Moskës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian me 27 vende anëtare.

Ajo shkaktoi edhe protestat më të mëdha kundër Putinit, që është në pushtet prej më shumë se 2 dekadash. Por analistët thonë se pavarësisht nga protestat e mëdha në rrugë këtë vit për të kërkuar lirimin e Navalny – me më shumë protesta të tilla masive që janë duke u përgatitur – as Perëndimi dhe as mbështetësit e tij në Rusi nuk kanë shumë fuqi reale kundër makinerisë shtetërore që drejton Putin.

Pavarësisht nga kjo, Navalny e ka sfiduar liderin rus në një mënyrë të tillë që pak kundërshtarë të tij kanë arritur ta bëjnë. Ai ka guxuar të tallet personalisht me Putinin, duke e vënë theksin tek korrupsioni zyrtar, një nga faktorët kryesorë të pakënaqësisë popullore ndaj presidentit rus.

Ndërkohë, mbështetja për Navalny është e theksuar tek të rinjtë, gjë që mund të jetë paralajmëruese e përfitimeve afatgjata të lëvizjes së tij politike. Mbështetësit e tij u alarmuan kur ai u dërgua në një burg të sigurisë së lartë të njohur si Pokrov IK-2, rreth 90 km në lindje të Moskës, që është i njohur për kushtet e vështira.

Këtë javë, nga llogaria e tij në Instagram u tha se Alexeit i ishin mohuar qetësuesit e dhimbjeve apo qasja tek një mjek për të trajtuar dhimbjet e forta në shpinë dhe këmbë. Gjithashtu, Navalny ankohej për privimin e gjumit, për shkak të rojeve që i hedhin në çdo orë dritë me prozhektor në fytyrën, gjoja për t’i siguruar që ai nuk është arratisur.

Të Mërkurën, llogaria e tij  në Twitter,që administrohet nga ndihmësit e tij postoi një letër të shkruar nga Navalny duke njoftuar fillimin e grevës së tij të urisë, në të cilën ai pyeste:“E çfarë mund të bëja tjetër?”. Një seri postimesh në Twitter raportuan se ai ka humbur rreth 9 kilogramë para se të fillonte grevën e urisë.

Aktivisti rus i demokracisë Vladimir Kara-Murza, duke folur në një panel në internet të organizuar të mërkurën nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale, foli për një situatë “të rëndë, të rrezikshme dhe të përkeqësuar” për Navalny.

Biznesmeni britaniko-amerikan Bill Browder, që ka mbështetur ligjin për sanksionet kundër Rusisë, e krahasoi çështjen e Navalny me atë të avokatit Sergei Magnitsky, që vdiq në një burg rus në vitin 2009. “Putini po përpiqet ta vrasë atë në mënyrë graduale”- shkroi Browder në Twitter këtë javë.

Kremlini ka refuzuar të komentojë mbi gjendjen e Navalny, ndërsa autoritetet e burgut thonë se trajtimi i tij ka qenë në përputhje me ligjin vendas. Por analistët thonë se lideri opozitar rus, përbën një rrezik politik serioz, ndaj gjendja e Navalny do të përkeqësohet deri në pikën që jeta e tij të rrezikohet.

Nëse Navalny do të vdesë në burg, “ekziston rreziku që ai të bëhet martir, dhe t’i motivojë më tej mbështetësit e tij”-thotë Elina Trejger, politologe në “Rand Corp”. Në nisjen e grevës së urisë, Navalny “sapo e ka ngritur këtë mundësi” thotë ajo. Duke parashikuar rreziqet me të cilat u ballafaqua në paraburgim, aktivisti u tha më herët  përkrahësve se nëse i ndodhte diçka ndërsa është në burg, askush nuk duhet të besojë ndonjë pretendim të zyrtarëve se ai vrau veten.

Qeveria amerikane dhe ato evropiane, kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e Navalny, duke e cilësuar si politik dënimin e tij të mëparshëm për akuzat e mashtrimit dhe shkeljen e lirimit me kusht.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, ngritën shqetësime të reja mbi shëndetin dhe të drejtat e Navalny gjatë një telefonate të zhvilluar me Putin këtë javë. Por sipas Kremlinit, Putini iu përgjigj me një “shpjegim objektiv” të situatës së Navalny, duke sugjeruar se ai hodhi poshtë apelet e tyre.

Ndonjëherë presioni perëndimor mund të ketë efektin e kundërt, thonë analistët, pasi Putini është aq i aftë në përdorimin e gjendjes së vështirë të Navalny, për ta portretizuar veten si një mbrojtës kundër ndërhyrjes së jashtme në çështjet e brendshme të Rusisë.

Mediat shtetërore e përshkruajnë Navalny si një agjent të huaj, ndërsa mbështetësit e tij si të shitur tek Perëndimi, një mesazh që shpesh zë vend tek publiku rus. Për të huajt, sulmi i mediave zyrtare ruse kundër Navalny mund të duket i vrazhdë, sidomos krahasuar me përdorimin e shkathët të mediave online nga aktivisti i burgosur dhe ekipi i tij.

Postimet në emër të tij, përdorin shpesh humor dinak dhe shfaqin materiale investigative, sikurse ishte videoja me titull “Pallati i Putinit” këtë vit –që tregon në detaje një kompleks luksoz rezidencial në Detin e Zi të paguar për presidentin nga miqtë e tij-që ka grumbulluar më shumë se 115 milion shikime në YouTube.

Të enjten, në atë që dukej si një mashtrim klasik nga Kremlini, ish-agjentja ruse Maria Butina, që u bë e famshme në Rusi kur u dënua si spiune në Shtetet e Bashkuara, u dërgua në koloninë penale të Navalny nga kanali pro-qeveritar “Russia Today” për të raportuar mbi çështjen e tij.

Duke e përshkruar atë si një “propaganduese të mjerë”, Butina tha se “ky është burgu më i mirë dhe më i rehatshëm”. Po çfarë do të ndodhë më pas?Bashkëpunëtorët e Navalny, kanë thënë se ai mund të ringjallë protestat në rrugë që u ndërprenë këtë vit, pasi autoritetet u kundërpërgjigjën me dhjetëra mijëra arrestime.

Për të vlerësuar mbështetjen ndaj tyre, ekipi i tij ka krijuar një platformë online, me synimin arritjen e gjysmë milioni mbështetësish që shprehin gatishmëri për të marrë pjesë në to. Deri të enjten, në të ishin regjistruar rreth 370.000 njerëz.

Por sondazhet sugjerojnë se ndoshta ekziston një tavan numerik për një mbështetje të tillë, pjesërisht sepse shumë rusë që nuk e pëlqejnë Putinin, e shohin atë një burim të stabilitetit.

Sondazhet mbi Navalny “janë shumë të përziera”, thotë Kadri Liik, bashkëpunëtor dhe ekspert i Rusisë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme.

“Disa njerëz e mbështesin atë, disa janë indiferentë, dhe ca të tjerë besojnë se ai mund të jetë një agjent perëndimor”-tha ajo. Ndërkohë, autoritetet ruse zotërojnë një larmi mjetesh të fuqishme për të ushtruar presion jo vetëm mbi Navalny, por edhe mbi bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij.

Shumë anëtarë të ekipit të Navalny jetojnë në mërgim. Por qeveria e Putinit është treguar e gatshme të përdorë një taktikë të njohur të epokës sovjetike të hakmarrjes ndaj anëtarëve të familjes. Babai i Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny, u arrestua gjatë fundjavës, një veprim që Zhdanov tha se synonte pikërisht atë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!