Edinson Cavani u largua pas 7 viteve nga PSG dhe do të provojë për herë të parë emocionet që të dhuron Premier League. “El Matador” firmosi një kontratë 2-vjeçare me Manchester United.
Bomberi 33-vjeçar nga Uruguaji, ka dhënë një prononcim për sajtin e “Djajve të Kuq”, duke treguar se si e bindi trajneri Ole Gunnar Solskjaer t’i bashkohej ekipit të tij.
“Kam biseduar me trajnerin para se të vija këtu. Folëm për përgatitjen e ndeshjeve, çfarë do të thotë të garosh dhe çfarë janë gjërat më të rëndësishme brenda një grupi.
Ramë dakord për shumë gjëra si: sakrifica, përkushtimi dhe konkurrenca. Kur sheh që ka dakordësi, të shtohet dëshira për të shkuar te klubi i ri, të japësh më të mirën dhe të stërvitesh sa më fort.
Herrera? E pranoj, kam biseduar edhe me Ander por edhe me shokë të tjerë të PSG-së si Di Maria. E vlerësoj shumë Ander si person dhe e mora në telefon për të diskutuar ca gjëra.
E dija se fjalët e tij do të më ndihmonin, pasi do të më tregonte shumë detaje rreth United. Nuk kam shumë që e njoh Ander, por kemi krijuar një miqësi të bukur që prej momentit që erdhi te PSG“, thekson Cavani. /abcnews.al

