Paulo Dybala është një futbollist me talent të madh, por, për shkaqe të ndryshme, argjentinasi nuk po ia del të bëhet lider dhe lojtar vendimtar te Juventusi. Antonio Cassano flet troç si gjithmonë dhe nuk i ka kursyer kritikat dhe thumbimet për 27-vjeçarin në prononcimin për Twitch.tv.
“Dybala nuk është një kampion, për mua nuk është as një futbollist i madh. Ai nuk arrin të zhvendosë ekuilibrat e një ndeshje. Ka një gjuajtje shumë të mirë, njësoj si Insigne dhe Di Natale, mund të shënojë 20-40 gola në sezon, por prapë nuk ka lidhje. Gjithmonë i mungon diçka.
Nëse Allegri, Sarri dhe tani Pirlo, nuk e cilësojnë rreptësisht të nevojshëm dhe vendimtar, dhe Juventusi ka tentuar ta shesë, atëherë kam të drejtë t’i bëj vetes disa pyetje në lidhje me të. Kam përshtypjen se e bën në brekë kur vihet nën presion.
Kam dëgjuar se kërkon 8-10 milion euro në sezon për të rinovuar kontratën me bardhezinjtë, seriozisht e ka? Mos u tallni me mua. Vite më parë shihja Carlos Tevez me fanellën numër 10 të Juventusit, ai po që ishte një kampion i një tjetër niveli“, përfundon Cassano. /abcnews.al