Capello: Mesfusha e Interit ndër më të mirat në botë

schedule21:09 - 9 Dhjetor, 2023

schedule 21:09 - 9 Dhjetor, 2023

Ish-trajneri i Milanit, Romës dhe Juventusit, Fabio Capello beson se mesfusha e Interit është aktualisht ndër më të mirat në botë dhe ka zbuluar se ku i sheh zikaltërit në krahasim me Real Madrid dhe Manchester City.

77-vjeçari foli për reparte të ndryshme të mesfushës në të gjithë ligat kryesore të Evropës në rubrikën e tij me “La Gazzetta dello Sport” të shtunën në mëngjes. Me Hakan Calhanoglu, Henrikh Mkhitaryan dhe Nicolo Barella në mesfushë dhe nënshkrimin e verës Davide Frattesi duke pritur radhën së bashku me Asllanin, nuk ka mbetur shumë për të bërë që mesfusha e Interit të konsiderohet si një nga më të mirat në botë.

Megjithatë, Capello thotë se skuadra e Simone Inzaghit është ende një hap larg nivelit të skuadrave të drejtuara nga Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola.
“Forca e madhe e Interit është mesfusha, ku ata kanë përzierjen e duhur të cilësisë, ndërgjegjësimit dhe vizionit të lojës. Calhanoglu është një dirigjent i shkëlqyer, Barella dhe Mkhitaryan kanë inteligjencë taktike dhe cilësi. Dhe pastaj si rezervë e parë është një Frattesi që më pëlqen shumë dhe që lë shenjë sa herë që luan”, ka thënë fillimisht Capello.

“Të gjithë dinë të shënojnë gola apo të japin asistime, të gjithë dinë si ta ndihmojnë ekipin në të dyja fazat. Për sa i përket dinamikës dhe cilësisë, Interi është ndërtuar shumë mirë në mes. Të luash me pesëshen e pasme ndihmon.
Interi është një hap më poshtë Cityt dhe Realit. Por, mund të themi me besim se mesfusha e Inzaghit është ndër më të mirat në botë”, përfundoi ish-trajneri italian./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!