Ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit, Fabio Capello, është rikthyer të flasë për Serie A. Në një intervistë për “Il Corriere dello Sport”, italiani këmbëngul se Interi është më favorit nga ekipet e tjera për të fituar Scudetton. Gjithashtu, ai deklaron se zikaltrit nuk kanë nevojë për blerje të reja, por Conte duhet të menaxhojë më mirë ekipin.
“Milani ka një trajner të mirë dhe disa drejtues të zotë, të cilët po e ndihmojnë ekipin. Kuqezinjtë gjithmonë i kanë mbështetur sukseset tek zhvillimi i lojtarëve të akadamisë, si psh: Franco Baresi, Paolo Maldini apo dhe Alessandro Costacurta. Tani ata kanë shumë lojtarë të huaj në ekip, por mes tyre janë dhe Donnarumma e Calabria, të cilët kanë ardhur nga ekipet zinxhirë”, deklaron 74-vjeçari.
“Interi? E kam thënë në fillim të sezonit dhe mund ta konfirmoj sërish që ata mbeten favorit për titullin. Conte nuk ka asnjë arsye për të kërkuar blerje të reja, sidomos tashmë që janë dhe jashtë Europës. Menaxhimi i grupit do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm në sezonin e zikaltërve.
Nga ana tjetër Juventusi po kthehet në rrugën e duhur dhe pa ndihmën e Cristiano Ronaldos dhe kjo do të thotë se ata me të vërtetë po gjejnë identitetin e tyre. Sa i përket Napolit, mendoj se kanë marrë një vendim të fortë për Milik, pasi po dëmtojnë veten e tyre. Sipas meje janë pesë skuadra që do të luftojnë për katër vendet e para: Inter, Milan, Juve, Atalanta dhe Roma”, përfundon Capello. /abcnews.al