Cannavaro: Futbolli italian ndër më të këqijtë, na e kalon edhe MLS për diçka

schedule10:55 - 6 Prill, 2021

schedule 10:55 - 6 Prill, 2021

Fabio Cannavaro, kampion bote me Italinë në vitin 2006 dhe fitues i “Topit të Artë” në të njëjtin vit, ka kritikuar futbollin italian. Në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport” ai vë në dukje organizimin e dobët dhe rënien e nivelit të lojës, ndërkohë që kritikon edhe për afrimet e lojtarëve në fund karriere. Gjithsesi ka edhe gjëra pozitive, si kombëtarja e Italisë që nuk humb prej kohësh nën drejtimin e Roberto Mancinit.

 

Viduka dhe Cannavaro gjatë ndeshjes Itali-Australi në Botërorin 2006

“Më vjen keq, por futbolli italian është bërë një nga më të këqijtë në Europa. Edhe MLS amerikane është e organizuar më mirë sa i takon infrastrukturës. Gjithashtu kemi edhe atë vendimin e klubeve tona për të marrë lojtarë në fund të karrierës dhe jo për të investuar tek të rinjtë. Loja është e një niveli më të ulët dhe kampionati normalisht bëhet më pak magjepsës, edhe pse jemi të bindur se taktikisht ne jemi më të mirët.

Gjithsesi ka disa elementë që na bëjnë të shpresojmë në rilindje, pavarësisht gjithçkaje. Sa i takon lojës, ne kemi një ekip kombëtar të bukur, modern për sa i përket konceptit të lojës. Luan pa frikë dhe jam i bindur se do të jenë protagonistë në Europian dhe Botëror, edhe pse deri tani kanë luajtur vetëm ndeshje kualifikuese.

Pastaj, në lidhje me organizimin, jam duke ndjekur një Master të organizuar nga FIFA. Ditët e fundit kam ndjekur me kujdes leksionet e CEO-s së Milanit, Ivan Gazidis. Ai shpjegoi se, në mënyrë paradoksale, futbolli italian ka mbetur aq larg sa që ka hapësirë më të madhe për rritje. Dhe jam dakord që pronarët e huaj që kanë marrë klube italiane po investojnë për këtë arsye”, ka thënë Cannavaro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!