Në emisionin “Pressing” në ABC News, Agim Canaj, një ndër trajnerët më të njohur në Shqipëri, shpjegon pse dy ekipet e fundit në Superiore po garojnë fort me çdo rival dhe analizon klasiken Vllaznia-Tirana.
“Grupet e lojtarëve te Flamurtari dhe Luftëtari janë çuna të rinj, dëshirojnë të evidentohen. Deri tani gara është shumë reale, por është shpejt për të folur. Matematikisht, flas për dy skuadrat e fundit. Tirana dhe Vllaznia? Nuk kanë ecurinë e një dekade më përpara, kur luftonin për titullin kampion.
Vllaznia ka problemin që ndodhet nën presionin e tifozëvë në fushën e vet, jo vetëm me Tiranën. Ka vetëm dy fitore në ndeshjet e luajtura brenda. Tirana vjen nga shtatë fitore radhazi, ka një anë psikologjike më të mirë se Vllaznia, që ka lojtarë që mund të kthejnë rezultatin në një ndeshje të vetme.
Mendoj që Tirana është më mirë në këto momente, është me e konsoliduar. Vllaznisë i kanë ardhur shumë lojtarë, sidomos në sulm. Silvio vjen për dy ditë, luan 90 minuta, do të thotë që të tjerët janë me mangësi fizike. Silvio është lojtar cilësor në aspektin individual, e kam stërvitur. Kjo tregon se Vllaznia nuk është shumë e konsoliduar. Ka shënuar pak në fushën e vet, por ka pësuar pak dhe është treguar solide jashtë fushe“, thekson Canaj. /abcnews.al