Lorik Cana, kapiteni legjendar i kombëtares, ka analizuar në Supersport shortin e Botërorit 2022. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja do të përballen me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon. Cana është i sinqertë, teksa e thotë hapur se për Shqipërinë do të jetë e vështirë të kapet vendi i dytë që të çon në play-off, pasi vendi i parë para Anglisë as që vihet në diskutim.
“Utopike nuk do ishte vendi i dytë, e kemi treguar se kemi mundësi për të bërë gjëra të mira. Kemi bërë mirë edhe në raste më të vështira. Është një grup i vështirë, pasi tre ekipet e vazove të para janë ndër më të mirat. Anglia dihet çfarë kombëtare është, Polonia mbetet një siguri, ka një lider si Lewandowski, i cili po bën shumë mirë dhe po udhëheq skuadrën.
Hungaria ka arritur të kualifikohet në Europian, po gjen një rilindje, po i dalin disa yje. Nuk do të jetë e lehtë. Nëse kalojmë Poloninë ose Hungarinë, do të ishte fantastike. Vendi i dytë do ishte një gjë tepër e mirë, por do të jetë e vështirë.
Besim duhet të kemi, mund të kemi. Kemi disa lojtarë që kanë arritur një lloj pjekurie. Po shohim lojtarë të rinj, po bëhen të mirë dhe po afirmohen në klube të mëdha. Përbërje ka, por duhet të formojmë një brum prej 25-26 lojtarësh, për t’u fokusuar pastaj drejt rezultatit.
Kemi mundësitë tona të mirë të bëjmë shumë mirë. Nuk e di sa mund të pretendojmë kualifikim, por me dëshirë të madhe, me lojtarët që duhet të sjellin përvojën e tyre në klubet ku luajnë, dhe me një pjekuri që duhet ta tregojmë në momentet e para, kemi mundësi për të bërë shumë mirë.
Ne qëlluam në një moment ku kishte disa vite që ishte formuar grupi. Ishte grupi i duhur, në krye erdhi një trajner që u përshtat mirë dhe i mori më të mirën grupit. Ekipi kombëtar u shndërrua në një simbol bashkues dhe në simbol i zërit të shqiptarëve.
Pjesa teknike dhe cilësore është kryesorja, por dëshira për të përfaqësuar gjithë kombin tonë, na dha një stimul për të arritur diçka historike. Lojtarëve të sotëm i duhet pak kohë për të arritur një mentalitet fituesi, por është ulur pak mbështetja e masës për ekipin kombëtar.
Normale, Kosova ka rrugëtimin e vet, kombëtarja nuk merr burimin e plotë të lojtarëve, edhe pse po vijnë lojtarë shumë të mirë, të rinj dhe cilësorë, te Shqipëria dhe Kosova. Duhet t’i menaxhojmë dhe t’u japim mentalitetin e duhur, që të japin më të mirën në kombëtare dhe klubet e tyre.
Grupi i Kosovës? Spanja mbetet favorite, Suedia ka qenë prezent në kompeticione. Kam shpresë që Kosova të pretendojë të lërë poshtë Gjeorgjinë, e ka treguar që mund të përballohet në mënyrë dinjitoze me Greqinë. Nuk është e pamundur t’i lërë dy kundërshtarë poshtë, ky do të ishte një objektiv real“, deklaron Lorik Cana. /abcnews.al