Apolonia zhvilloi një ndeshje të mirë, por nuk ia doli të marrë pikë përballë Partizanit. “Demat” fituan 1-0 falë golit të Asanit në çerekorëshin e fundit. Trajneri i ekipit fierak (renditet në vend të fundit), Fabrizio Cammarata foli për Supersport rreth humbjes së sotme.
“Po, diferencën e bëri kualiteti i Partizanit, janë një skuadër e madhe. Luajtëm shumë mirë në pjesën e parë, në të dytën u tërhoqëm shumë, edhe falë presionit të Partizanit. Lojtarët dhanë gjithçka, jam i lumtur për ta, do vazhdojmë të japim gjithçka.
Mbijetesa? Duhet të besojmë gjithmonë, edhe pse e dimë që është e vështirë. Të japim maksimumin deri në fund, por, të jemi të sinqertë, është shumë e vështirë të mbijetojmë. Djemtë duhet të luajnë edhe për veten e tyre, të tregojnë vlerat që kanë, siç bënë si të mërkurën dhe sot.
Unë kështu jam gatuar, si futbollist dhe trajner: duhet të japësh gjithçka deri në fund. Lojtarët duhet të japin maksimumin, duhet të dalin me fanella të djersitura nga fusha e lojës. Unë nuk di të bëj ndryshe“, deklaroi trajneri italian. /abcnews.al