“Camaj e Koliqi të pazbuluar”, Tufa: Gërmo Tare, gërmo, të urojmë zell në agjendat e porositura!

schedule17:26 - 8 Korrik, 2020

schedule 17:26 - 8 Korrik, 2020

“Dritëhije në histori, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi të pazbuluar”, është ky hulumtimi i studiuesit Auron Tare rreth veprimtarisë së dy personaliteteve shqiptare, që ka hapur jo pak debate mes ekspertësh të fushës dhe jo vetëm.

I ftuar mbrëmjen e së martës në “Provokacija” në ABC News, Tare u shpreh se dy figurat e letërisë shqiptare i ka zgjedhur në mënyrë rastësore.

“Shkruajta rastësisht. Po të ishte Lasgush Poradeci do shkruaja për Poradecin, po të ishte Petro Marko do bëja Petro Markon. Po këta kam kohë që i kam me dokumente. Shkruajta për këta sepse më tërhoqi vëmendjen që kishte bërë Ministria jonë e Kulturës dhe ajo e Kosovës dhe mu duk butaforike, qesharake, ” u shpreh ai mbrëmjen e së martës.

Mes figurave të njohura që kanë reaguar rreth këtij studimi prej 37 faqesh është edhe shkrimtarit Agron Tufa. Sipas tij, Tare e ka shfrytëzuar në mënyrë selektive dosjen e plotë të Martin Camajt që ia ka dorëzuar Autoriteti i Dosjeve.

“Kjo gjë dihej. Por ai që ia ka përgatitur e dorëzuar e di këtë dhe bën mirë të flasë”, shprehet ai, ndërsa thekson se kjo dosje nuk gjendet vetëm në AIDSSH dhe mund të tregohet lehtësisht shfrytëzimi i pjesshëm i saj.

Sipas Tufës,  thelbi i kësaj dosjeje është publikuar më herët nga Kastriot Dervishi dhe në të tregohet se si Camaj është tallur me Sigurimin që përgjatë katër dekadave është munduar ta “diskreditojë” në çdo mënyrë.

Tufa hedh poshtë pretendimet e Auron Tares se Martin Camaj mund të ketë kryer veprimtari në dëm të vendit të tij. Po ashtu, nënvizon faktin se ai  s’ka asnjë dokument që provon lidhjen e Camajt me UDB-në dhe supozon se ky mund të jetë një inat i vjetër, ose edhe i personalizuar.

Labirinti kontekstual dhe akontekstual i dokumenteve mbi një antikomunist si Camaj, i shtrënguar të ndjekë rrugën e mbijetesës, pa i mbetur vetja peng, nuk të çon aspak në klishenë derdimene ‘tradhti ndaj atdheut’, siç sugjerohet nga montazhi dedektiv i Tares. 

Unë besoj këtë tjetrën, që Camaj e shumta mund të ketë krijuar alibi fiktive, kinse pranoi “ura bashkëpunimi” sa ishte në Jugosllavi, pastaj këto “ura” fiktive i hodhi ne erë bashkë me gruan e tij serbe. Por nuk mendoj se ka qenë e nevojshme as kjo. Sepse dedektivi i Tares nuk thotë asgjë, nuk jep asnjë fakt, asnjë shkresë, përpos ca hamendësimeve e supozimeve. Deri tani nuk kemi ndonjë rast flagrant të ndonjë vepre konkrete me pasoja negative të Camajt.

Pra, asgjë. Këtë asgjë Tare e interpreton nga informacione të Sigurimit të CIA-s në internet, krejt sipas qejfit dhe oreksit, duke na sugjeruar se aty pra duhet të fshihet ‘bashkëpunimi me UDB-në’. Po ku pra, ku? Ke dokument, o qirje studiues? Jo!? Epo atëherë gërmo Tare, gërmo! Dhe mos kërko të të xamë besë veresie. E gjithë përpjekja sistematike e Tares në këto dokumente rreth implikimit te Camajt del jashtëzakonisht intencionale, sikur ka inat të vjetër e të personalizuar me të, sikur mban inat që Camaj u shpëtoi burgjeve dhe kampeve të internimit nën drejtimin asokohe të Myftar Tares. Gjithë koleksioni i mbledhur me dokumente ku përmendet emri i Camajt nuk të thotë asgjë, e tekefundit mund të përmblidhet në një idiomë: ‘Gola në përfytyrim!’. Po kujt i duhen ‘golat e përfytyruar’ të Tares?”, shkruan Tufa.

“Interesante është se kjo kategori studiuesish si Tare, kurrë, po kurrë ama, nuk u morën njëherë me demontimin e miteve të rreme për personalitete ende të gjalla të kulturës e politikës në dy epokat: komuniste e postkomuniste, të cilat i kanë sjellë dëme e krime të përbindshme, të hapura dhe ende të fshehta shoqërisë dhe atdheut. Tares nuk i duken të rëndësishme dokumentet mbi ‘Cingaren’ dhe dëmin e pandreqshëm të demokracisë së shndërruar në një stan qensh. Apo nuk duhen prekur ‘tanët’?

Duket se këta studiues e kanë të pilotuar agjendën për një kategori antikomunistësh, por kurrsesi jo për ata me të cilët konsultohen e pinë kafe. Do të kishte qenë i vyer tehu i këtij zelli studimor, fjala vjen për veprimtarinë e ethshme brenda e jashtë Shqipërie (diasporë) të ndonjë tipi si ‘Dragoi’, por sakën se… Po e dimë: kjo nuk hyn në agendat e pilotuara të Tares me shokë. Pse? Se ata gërmojnë në një tjetër drejtim…”, shkruan ai. “Sulmi ndaj pushtetit të Enver Hoxhës, s’është sulm ndaj atdheut” Tufa, duke evidentuar nivelin e rrallë intelektual të Camajt, thekson pozicionimin e tij kundër pushtetit hoxhist. “Camaj, jashtë yllit të tij letrar e gjuhësor, mbetet triumfi i inteligjencës së tij, që i tregoi gishtin e mesit Sigurimit të Shtetit. Ai natyrisht ishte kundër pushtetit satanik të Enver Hoxhës dhe rrëzimi i tij ka qenë gjëja më e mirë, më e domosdoshme, që fatkeqësisht nuk ndodhi, sepse kishte njerëz të zellshëm që e mbronin diktaturën atëherë dhe që kanë nostalgji e përpiqen ta ringjallin sot”, shton ai më tej.

Shkrimtari shton më tej se çdo skenar i mundshëm i jetës private të Camajt nuk prek vlerat e pakontestueshme letrare të tij.

“Atdheu mbrohet e duhet/dashurohet edhe duke e çliruar atë nga zombifikimi komunist i diktaturës, e jo siç e marrin jangllësh derdimenët, që sulmin ndaj pushtetit satanik të Enver Hoxhës e konsiderojnë ‘tradhti ndaj atdheut’. Pra, në këtë pikë ne kemi pikëpamje krejt të ndryshme mbi domethënien e atdheut: atdheu im nuk është diktatura!”

Por a ishte bashkëpunëtor Martin Camaj? Sipas Agron Tufës, çdokush që ka pasur një peshë gjatë sistemit komunist ka qenë i survejuar nga shërbimi i Sigurimit, UDB-ja, CIA etj. Një fakt i tillë, sipas shkrimtarit, nuk tregon implikimin e Camajt në këto agjentura.

“Kategoria e ‘bashkëpunëtorëve me material shtrëngues’ të quajtur ‘bashkëpunëtorë tradhtarë’, me zero raporte, NUK janë e nuk quhen bashkëpunëtorë,” shpjegon ai.

Po shqiptarët gënjehen kollaj për punë agjenturash, sepse asnjëherë nuk shohin se çfarë ‘spiunoi’ Martini. P. sh.: pse e quante ‘tradhtar’ Sigurimi kur Camaj i paska ‘shërbyer’!? Pse pra? Për t’iu përgjigjur: Tares do t’i duhet të gërmojë edhe në arkivat e Beogradit. Dhe ne i urojmë zell të mbarë në lartësinë e agendave të porositura: gërmo Tare, gërmo…”, shkruan më tej Tufa. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!